Është 30 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë, është larguar në 4 janar 2006 në drejtim të Sarandës.
ZHVILLIMI I FUNDIT
(11.06.2007)
Përpiqej të siguronte bukën e gojës në zonat e Konispolit, në pritje për të ikur në Greqi
Jetë në Kërkim bën atë që s'mundi të bënte policia në 7 muaj
Gjendet në kufi me Greqinë, babai i dy fëmijëve
U largua nga Lushnja për të emigruar në shtetin helen.
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
Gjendet në Konispol, në kufi me Greqinë, babai i dy fëmijëve. Dashamir Krasniqi, 30 vjeç, ishte larguar nga banesa e tij, në fshatin Babunjë të Lushnjës, nëntorin e vitit të kaluar, me destinacion emigrimin në Greqi. Dështimi në të disatën tentativë për të kaluar kufirin në këmbë dhe këmbëngulja për të mos u kthyer duarbosh në shtëpi, e kanë mbajtur larg familjes për 7 muaj Kasniqin. Ndërsa ai përpiqej të siguronte bukën e gojës në zonat e Konispolit, në pritje të tentativës së radhës për të ikur në Greqi, në familje, në Babunjë të Lushnjës mbizotëronte një gjendje ankthi. Askush nuk dinte se çfarë kishte ndodhur me Dashamirin. Mungesa e informacioneve për të shtonin ankthin dhe frikën në familje, se mos i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi rrugës dhe ndoshta nuk do ta gjenin më. E kanë denoncuar edhe në polici, por edhe uniformat blu nuk kanë mundur t'u kthejnë një përgjigje se çfarë ka ndodhur me Dashamirin. Dhe nuk dihet sesa do të vazhdonte kjo gjendje te familjarët, nëse gazetarët e emisionit Jetë në Kërkim nuk do të nisnin kërkimet për gjetjen e tij. Dhe brenda 3-4 javësh, kanë marrë informacione të shumta nga bashkëpunëtorët dhe gazetarët që mbulojnë zonën e jugut të vendit. I kanë klasifikuar dhe verifikuar ato. Ndërsa gjatë emisionit të së hënës, në NEWS 24, të afërmit kanë mësuar se Dashamiri është mirë dhe punon me bagëti në zonën e Konispolit. Gazetarët arritën ta gjenin në fshatin Malla të Konispolit, Dashamirin, i cili ka pranuar për Jetë në Kërkim, se arsyeja e shkëputjes ishte sedra, e cila nuk e lejonte të kthehej në shtëpi duarbosh, pa siguruar fitimet që synonte nga puna në emigrim.
Si u gjet?
Ishin të shumta telefonatat e ardhura në 3 emisionet e fundit për Dashamirin. Një telefonues deklaroi se ditën e humbjes kishte udhëtuar me autobus drejt jugut të vendit. Një tjetër telefonues na orientoi drejt Sarandës. Gazetarët e Jetë në Kërkim siguruan një numër telefoni të një personi që mendohej se ishte pronari tek i cili punonte Dashamiri. Pas kontaktimit, mësuam se Dashamiri punonte me një tjetër, pronar me emrin Miço Dhima. Ky i fundit, i kontaktuar nga gazetarët, pranoi menjëherë bashkëpunimin me Jetë në Kërkim, duke na mundësuar takimin me vetë Dashamirin. 30-vjeçari ndodhej në fshatin Malla, afër Konispolit. Në këtë vend të thepisur, mes malesh, kamera jonë e fokusoi teksa kryente punën e tij si çoban me dhen. Ndërsa vetë pronari, Miço Dhima tregon se si u takua me Dashamirin dhe me pas arriti ta punësonte atë. Tashmë Dashamiri duket se ndjehet mirë me punën që bën, duke qetësuar kështu neve dhe në të njëjtën kohë edhe familjen e tij. Ai premton se do të kthehet në familje shumë shpejt. Ndërsa familjarët e tij janë larguar nga studioja kryesore e emisionit në NEWS 24, të gëzuar që më në fund e gjetën të dashurin e tyre dhe si një traditë në çdo emision, i kanë uruar të ftuarve të radhës së gazetares Mirjeta Ngjela, të kenë edhe atë fatin e mirë të gjetjes së djalit të tyre.
E kanë denoncuar në polici, por uniformat blu nuk kanë mundur ta gjejnë
(04.06.2007)
Kërkimet për Dashamirin në Konispol e Ersekë
Nga Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Kërkimet e gazetarëve të Jetë në Kërkim për lushnjarin e zhdukur një vit e gjysmë më parë, Dashamir Krasniqi, përqendrohen në Sarandë. Teleshikues të emisionit të së hënës mbrëma në NEWS 24, kanë deklaruar se Dashamir Krasniqi mbahet si bari nga një pronar dhensh në Konispol të Sarandës. Telefonuesit kanë dhënë emrin e pronarit, Tom Bello. Gjatë javës, por edhe gjatë emisionit të djeshëm, gazetarët tentuan të gjejnë një numër telefoni të pronarit Bello, por që në numra që u siguruan, ai rezultonte i fikur. Shokë të pronarit thanë për gazetarët, se nga informacionet që ata kanë bashkë me Dashamirin dhe punëtorë të tjerë të tij, janë nisur drejt Ersekës këto ditë, arsye pune.