aaNga: Mirjeta Ngjela
Cdo te hene ora 21:00 LIVE ne
  E GJETUR
a
 
   
 

LEONORA OSMENAJ

Datelindja: 16.11.1978
Gjatesia: 170 cm
Ngjyra syve: Kafe
Ngjyra flokeve: Geshtejne
Zhdukur ne: Itali
Data e zhdukjes: 1978

Publikuar ne emisionin e dates: 15.01.2007




ZHVILLIMI I FUNDIT
(05,03,2007)

Suora Mosca, do përpiqemi ta lidhim me familjen

Nga:Gerti Xhaja g.xhaja@gazetashqiptare.com

Leonora

Leonora është shëndoshë e mirë! Ajo ka paraqitur arsyet e saja për të mos kontaktuar me familjen, por falë emisionit Jetë në Kërkim, ka mësuar se familja e do dhe e kërkon! Jemi duke u konsultuar për gjetjen e një mundësie lidhjeje me prindërit. Janë këto fjalët e murgeshës Sofia Mosca, drejtoreshë e Caritasit për Dioqezën Tiranë-Durrës. Ajo ka siguruar dje gazetarët e Jetë në Kërkim, se Leonora bën një jetë të rregullt. Pas traumave të shumta të përjetuara, po përpiqet të krijojë një jetë normale, ndaj dhe situata në cilën ndodhet është mjaft delikate, ka pohuar Mosca, duke premtuar angazhimin maksimal të saj dhe të dioqezës që drejton në synimin final të bashkimit të Leonorës me familjen. Prej 10 vitesh familja s'kishte asnjë lajm nga vajza e rrëmbyer dhe trafikuar në Itali, derisa gazetarët e Mirjeta Ngjelës, gjetën praktikat për nxjerrjen e ccertifikatës dhe pasaportës së Leonorës që datonin një vit më parë. Dokumentat u nxorën me një prokurë të rregullt në konsullatën e Milanos, ku Leonora ishte paraqitur për të ngarkuar murgeshat e Caritas të cilat kujdesen për të, që të nxirrnin dokumentat.

(26,02,2007)

CARITAS: Leonora është mirë

Pas datës 1 mars, motër Sofia Mosca do të jetë e pranishme pranë zyrave të institucionit që ajo drejton dhe do të japë sqarimet e mundshme mbi rastin që kemi paraqitur në emision dhe në gazetë, për aq sa lejon ligji dhe misioni humanitar që ajo përmbush, të sigurt në mirëkuptimin dhe mirësjelljen tuaj gjejmë rastin t'ju përshëndesim. Ka qenë kjo përgjigja zyrtare e misionit CARITAS në Shqipëri, e cila mban firmën e drejtorit shqiptar Tom Preku. Reagimi i misionit humanitar në Shqipëri vjen pas zbulimit në emisionin Jetë në Kërkim, kërkesë prej murgeshës Moska për pajisjen me pasaportë të Leonora Osmenajt, e cila prej 10 vitesh rezulton e zhdukur nga familja.

(12,02,2007)

Quhet suora Sofia Mosca dhe është larguar për në Itali nëpërmjet portit të Durrësit, 6 ditë më parë

Një murgeshë di misterin e zhdukjes 10-vjeçare të Leonorës

 Drejtoresha e Caritas Tiranë-Durrës i nxori pasaportën

Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com

Jetë në Kërkim” zbulon dokumentin me të cilin drejtoresha italiane e Caritas të dioqezës Tiranë-Durrës, suor Sofia Mosca, një vit më parë ka nxjerrë pasaportën e 27-vjeçares nga Ninesh i Mallakastrës, Leonora Osmenaj, e cila rezulton e zhdukur prej 10 vitesh. Stafi i gazetares Mirjeta Ngjela është në rrugë të mbarë për të realizuar lidhjen e Leonorës me familjen e saj, e cila i ka bërë thirrje për të dytin emision rresht nga ekrani i NEWS 24, të bijës që t'u japë një shenjë që është mirë dhe duke bërë apel për të gjithë personat e tjerë që mund të kenë ndonjë informacion për të. Por largimi i murgeshës Sofia në Itali, 6 ditë e ka ngadalësuar disi gjetjen e vajzës pas një dekade. Por cilat janë arsyet e mbajtjes sekret të vendndodhjes së 27-vjeçares dhe si ishte e mundur që një shtetase e huaj të siguronte dokumentacionet për nxjerrjen e pasaportës së shqiptares, që ishte denoncuar në polici si e zhdukur dhe askush nuk e lajmëroi për këtë familjen.

Kërkimet

Një kopje e pasaportës së murgeshës Sofia, kërkesa e noteruar nga konsullata shqiptare në Milano për autorizimin e murgeshës për të nxjerrë pasaportën, janë gjurmët e zbuluara në gjendjen civile të fshatit Ninesh, të Mallakastrës nga gazetarët. Një foto e dorëzuar nga murgesha mban edhe pamjen e re të saj. Megjithëse në ndryshim kryekëput me pamjen e Leonorës në moshën 17-vjeçare, ajo është njohur menjëherë nga prindërit dhe motra e saj. Ndonëse mban në ankth prej 10 vitesh një familje të tërë, nuk është aspak e lehtë të marrësh një informacion te murgeshat e

Caritas. E vetmja mundësi është kontaktimi me familjen.

Rrëmbimi i Leonorës ndodhi në dhjetorin e vitit ‘97, kur Leonora Osmenaj në një moment trishtimi të jetës së saj, ikën nga shtëpia në një drejtimi i cili do të mësohej vetëm pak javë më pas. Babai i saj kthehet nga Greqia me ankthin e vajzës së humbur, në pritje të një telefonate që do ta qetësonte. Telefonata e parë, e dytë dhe e tretë e Leonorës që realizohet në një fshat fqinj me Nineshin, në Bizhan, vë në një tjetër pozicion familjen e saj. Të mbetur konfuz prindërit nuk dinin se çfarë të mendonin për këtë largim të vajzës. Mentaliteti i kohës dhe i vendit i vendos në një pozicion luftues, duke e gjykuar Leonorën për veprimin e pamatur, e ndoshta duke i shkaktuar asaj një tjetër traumë. Bilbili thotë se vajza qante në telefon, duke u ankuar për keqtrajtimin që po i bëhej. Por personat e kësaj vepre penale mbetën anonim për familjen. Rasti u denoncua në policinë e Ballshit, por që pas 10 vitesh denoncimi nuk ekziston më në polici.

Deklarata: Kryekomunari, murgesha nxori certifikatë për Leonorën

Kryetari i Komunës së Fratajt, Enver Kapllani pasi shprehu falenderimet e tij në drejtim të emisionit Jetë në Kërkim”, tha në lidhje më çështjen se murgesha Sofia Mosca, pasi është prezantuar në emër të Fondacionit Sorros, ka kërkuar të tërheqë një certifikatë për Leonora Osmenaj. Sipas kryetarit, murgesha Mosca ka paraqitur një prokurë të rregullt, me firmë dhe vulë të konsullatës shqiptare të Milanos, sipas të cilës autorizohej të merrte një certifikatë për Leonorën pranë gjendjes civile të Fratajt. Kryetari i komunës, Kapllani u shpreh se certifikata do të përdorej për të nxjerrë një pasaportë. Sipas kryetarit të Komunës, murgesha Sofia arriti të marrë certifikatën, duke lënë peng fotokopjet e kërkesës, prokurës dhe pasaportës së vet.

(05,02,2007)

Pas 10 vitesh Leonora bëhet e gjallë, ndodhet te murgeshat

Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Pas 10 vitesh, emisioni Jetë në Kërkim sjell një lajm të mirë për familjen Osmani në Ninësh të Mallakastrës. Dy murgesha, në vitin 2005 janë paraqitur në zyrën e Gjendjes Civile ku ndodhet e regjistruar Leonora Osmani dhe kanë kërkuar një certifikatë personale të saj, për qëllim të nxjerrjes së pasaportës. Leonora tashmë 28 vjeçe, rezulton e rrëmbyer dhe trafikuar në vitin 1997. Zhdukja në rrethana misterioze e Leonorës, ka bërë që për 10 vite familja e saj të jetojë me ankthin se një ditë dikush mund të hyjë në portën e shtëpisë për t'i dhënë lajmin e keq dhe shpresën se një ditë, nga ajo portë mund të hyjë vetë Leonora me buzëqeshjen e saj, që nuk mund të harrohet lehtë nga të afërmit. Këtë herë, gazetarja Mirjeta Ngjela, gjatë emisionit të 23-të të saj në NEWS 24, i ka dhënë lajmin e mirë Bilbilit, babait të Leonorës. Vajza është gjallë dhe të qënurit në kujdestarinë e murgeshave, është një tregues tjetër që ajo është shëndoshë dhe mirë. I vetmi merak për familjarët tashmë mbetet mënyra sesi familja do të kontaktojë me Leonorën dhe cili do të jetë vendimi i tyre pas këtij takimi. Të gjitha misteret pritet të zbardhen në emisionet në vijim në NEWS 24, ndërkohë që stafi i gazetarëve të Jetë në Kërkim, kanë nisur investigimin për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me Leonorën në këto 10 vite.

Telefonata
Një telefonatë e ardhur në adresë të Jetë në Kërkim, lokalizon qendrën e trajtimit të viktimave të prostitucionit në Linzë, si vendin e strehimit të Leonorës. Gazetarët kanë dërguar shkresa zyrtare, që në bazë të ligjit shqiptar Për të drejtën e informimit, detyron të gjitha institucionet shtetërore të japin informacionin që disponojnë për rastin e Leonorës. Në pritje të përgjigjes, gazetarët kanë nisur edhe hetime private, lidhur me rolin e murgeshave në rastin e saj.

Misteri
Leonora, dyshohet se ka qenë viktimë e mashtrimit, trafikimit dhe detyrimit me forcë për të prostituuar trotuareve të Italisë. Nuk dihet sesi ka mbërritur deri në Itali 28-vjeçarja, por mendohet se ajo, falë ndonjë operacioni të policisë lokale të ketë shpëtuar nga rrjeti. Bilbili, babai i saj tregon se Leonora pësoi një traumë me divorcin pas dy viteve martesë dhe kjo ka bërë që trafikantët ta kishin më të lehtë ta mashtronin. Ende nuk dihet se për sa kohë ajo është marrë në mbrojtjen e ligjeve për viktimat e prostitucionit, por viti 2005 mësohet se është momenti kur për të fillojnë të kujdesen murgeshat.

Leonora Osmani
Eshtë e datëlindjes 16 nëntor 19978, në Ninesh të Mallakastrës. Zhduket në vitin 1997 dhe disa ditë më vonë merr në telefon shtëpinë, ku u thotë se e kanë rrëmbyer dhe e keqtrajtojnë. Gjithsesi, Leonora mban lidhjet me prindërit për gati dy muaj, dhe më pas shkëput çdo kontakt me ta. Leonora përfaqëson historitë e mijëra vajzave shqiptare, të cilat janë mashtruar, trafikuar dhe më pas janë detyruar të prostituojnë. Fatmirësisht, të dhënat tregojnë se vajza është shkëputur nga rrjeti dhe për të kujdesen përfaqësues të shoqatave të trajtimit të viktimave të prostitucionit.

 

   
   
 


 
 

 


© 2006 News 24. Te gjitha te drejtat e rezervuara