ZHVILLIMI ME I FUNDIT
(25.12.2006)
Vellai i Remzi Hoxhes leter Krimeve te Renda: Varri i tij ne Vain te Lezhes
Trupi i Remziut, është i varrosur në një vend pranë bazës së SHIK-ut në lagunën e Vainit në Lezhë. Këtë informacion, familja e biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur në rrethana misterioze 11 vjetë më parë, e ka marrë në rrugë private, nga një burim i cili kërkon të mbetet anonim për shkak të pasojave që mund të ketë nëse identifikohet. Në këto kushte familja e biznesmenit Hoxha ka vënë në dijeni grupin hetimor të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimi anonim e ka informuar me shkrim familjen Hoxha, për vendin ku mund të ndodhen eshtrat e tij.
Burimi pretendohet se është një person i informuar mbi veprimet që ka kryer SHIK-u i Gazidedes për çështjen Hoxha. Vëllai i Remzi Hoxhës, Nebih Hoxha, e ka njoftuar grupin hetimor që ndjek çështjen, me anë të një letre për të verifikuar nëse informacioni i siguruar në rrugë private është i vërtetë ose jo. Por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje për veprimet që mund të ketë marrë grupi hetimor si dhe për faktin nëse është verifikuar informacioni i mësipërm. Vëllai i viktimës, Nebih Hoxha tha për Gazetën se ai dhe familjarët e të ndjerit kanë mbetur të pezmatuar nga zvarritja pa asnjë motiv që është duke u bërë me hetimin e kësaj çështjeje. Ai shprehu rezerva dhe për qëndrimin që po mban grupi hetimor në Tiranë, i cili qëndron indiferent për informacionet që familjarët e Hoxhës i sigurojnë në rrugë private apo nga investigimet personale.
Kërkesa
Duke hasur në një zvarritje të përsëritur të hetimeve nga ana e Prokurorisë, si dhe në mosinformimin e saj për përparimin ose jo të çështjes, familja Hoxha i është drejtuar me një kërkesë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kërkesa e familjes Hoxha e hartuar nga vëllai i viktimës, Nebih Hoxha është dërguar më datë 20 dhjetor 2006, nga kryeqyteti i Maqedonisë, Shkup. Ajo i është adresuar kreut të kësaj strukture hetimore, prokurorit Adnan Kosova. Në të thuhet se familja e biznesmenit të zhdukur 11 vjetë më parë, ka rezerva në lidhje me bashkëpunimin e shprehur nga Prokuroria Shqiptare. Ne si familje e Remziut mendojmë që së paku na intereson nëse ju si prokurori jeni të disponuar për bashkëpunim apo jo. Ne kërkojmë cilat janë të drejtat tona për informim në lidhje me zhvillimin e investigimit rreth çështjes së vëllait tonë, Remzi Hoxhës, shkruhet në letër.
Më poshtë thuhet se:Në letrën e parë ju shkrova për një dëshmi që ta vërtetoni vendin enigmatik në Lezhë. Por as për këtë detaj nuk ka patur ndonjë reagim nga prokuroria. Familja Hoxha kërkon informacion zyrtar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për riklasifikimin e veprave penale të kryera nga personat përgjegjës si dhe për faktin nëse është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Ilir Kumbaron, ish-kryetar i Degës së Parë në Drejtorinë e Shërbimit Informativ në Tiranë. Kumbaro nuk është arrestuar kurrë dhe cilësohet si një nga personat që mban përgjegjësinë më të madhe për ngjarjen e ndodhur më 21 tetor 1995. Pavarsisht gatishmërisë së treguar nga vëllai i Remzi Hoxhës, Nexhmedini dhe bashkëshortja Sevdija, për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje, grupi hetmor nuk e ka parë të arsyeshme që të zhvillojë një seancë pyetjesh me ta. Emrat e Nexhmedin Hoxhës dhe kunatës së tij, Sevdijes, janë në listën prej 20 dëshmitarësh që duhet të merren në pyetje nga prokuroria pas rihapjes së hetimeve për ngjarjen e 11 viteve më parë.
Bashkëpunimi
Pasi ka hasur në një mungesë bashkëpunimi me Prokurorinë Shqiptare, familja Hoxha dhe përfaqësuesit e saj ligjorë kanë vendosur të kërkojnë rrugë të tjera që do ti çonin në zbardhjen e së vërtetës. Konkretisht avokatët e saj dhe pjestarë të familjes kanë kontaktuar më përfaqësues të zyrës së Amnesty International në Londër. Janë realizuar kontakte me përfaqësues të strukturave policore dhe hetimore në Britaninë e Madhe, në mënyrë që të identifikohet vendodhja e ish-drejtuesve apo ish-punonjësve të SHIK-ut të implikuar në këtë histori. Vështirësia qëndron në faktin se ata janë kamufluar duke përdorur identitete të rreme.
Nëse do të dinim vendndodhjen e tyre do të na interesonte vetëm të kontaktonim në rrugë private me ta. Ne kërkojmë thjeshtë të na ndihmojnë se ku mund të jetë varrosur trupi i vëllait tonë. Nëse janë ose jo përgjegjës, këtë le ta vendosin organet e drejtësisë së Shtetit Shqiptar, tha Nebih Hoxha. Përfaqësuesit ligjorë të familjes Hoxha i janë drejtuar për ndihmë dhe Zyrës për Personat e Zhdukur në Ëashington duke kërkuar të ushtrojnë presion mbi qeverinë Shqiptare
(04.12.2006)
Remzi Hoxha, një hetim me mëdyshje
Nga: Gazmend Janku
g.janku@gazetashqiptare.com
Sikur të mos mjaftojë misteri që ka mbuluar për më shumë se 11 vjet zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, tani edhe hetimi që zhvillohet për këtë ngjarje është me mëdyshje. Që nga momenti kur u vendos që dosja të hetohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, lindën debatet e para mbi kompetencën që ka ky organ për të hetuar një ngjarje të tillë. Juridikisht është gjetur zgjidhja, që akuza në dosjen përkatëse të jetë ajo e pengmarrjes (në kushtet kur nuk ka asnjë të dhënë zyrtare mbi fatin e Hoxhës), vepër penale kjo që hetohet ekskluzivisht nga Krimet e Rënda. Por duke iu referuar rezultateve të deritanishme të hetimeve, rezulton se në zhdukjen e biznesmenit Hoxha janë të implikuar ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili ka qenë një institucion shtetëror. Juridikisht, ish-zyrtarët e një institucioni nuk mund të akuzohen për pengmarrje, për sa kohë qëllimi i këtij veprimi nuk provohet që kanë qenë për interesat e tyre private. Dhe në të tilla kushte, edhe nëse identifikohen dhe provohen autorët e zhdukjes së Hoxhës, ata mund të akuzohen për veprime arbitrare, tejkalim kompetencash apo shpërdorim detyre, akuza këto të cilat jo vetëm që nuk janë në kompetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por janë amnistuar të gjitha në vitin 1997. Edhe po të mendohet pista tjetër e kësaj ngjarjeje, ajo e pengmarrjes që ka sjellë për pasojë vdekjen e personit, edhe kjo vepër penale nuk është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për këto arsye, si do që të jetë rezultati i hetimeve të rinisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ky organ është i detyruar që në një moment të caktuar të shpallë moskompetencën për vazhdimin e hetimeve apo përfaqësimin e akuzës në gjykatë. Edhe pse nuk është deklaruar zyrtarisht, kuptohet që angazhimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda me këtë ngjarje është bërë për shkak të imazhit të mirë që ka krijuar ky organ në goditjen e shumë grupeve dhe organizatave kriminale dhe një rezultat i tillë shpresohet të arrihet edhe me këtë dosje, edhe pse në fund të fundit nuk do të jetë Prokuroria e Krimeve të rënda ajo që do të vërtetojë në gjykatë pistën e kësaj ngjarjeje, nëse do të ketë një të tillë.
(20.11.2006)
Ceshtja Remzi Hoxha, Raporti sekret i Sollakut: Berisha amnistoi fajtoret
Nga: Artan Hoxha
Ligji per amnistinë i dekretuar nga ish-presidenti Sali Berisha dhe mungesa e kufomës se Remzi Hoxhës janë shkaku kryesor përse organi i akuzës nuk mund të zbardh ngjarjen e rrëmbimit dhe më pas zhdukjes misterioze të biznesmenit nga Tetova. Ligji nr.8202 i datës 27 mars 1997 Për Amnistinë, është dekretuar në çastet kur Shqipëria ishte e zhytur në tym dhe flakë nga trazirat që kishin përfshirë gjithë vendin. Ku ligj është bërë shpëtimi i ish-drejtuesve dhe ish-agjentëve të SHIK-ut të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës pasi krimi ishte konsumuar përpara 5 prillit 1997, duke rrëzuar akuzat fillestare të ngritura ndaj tyre. Klasifikimi i ri i veprës penale të kryer nga këta persona ka çuar në rihapjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë, por dhe këtë radhë ka munguar prova kryesore, kufoma e zhdukur pa lënë e gjurmë e Remzi Hoxhës. Këto kanë qenë dy arsyet kryesore sipas Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, që e kanë detyruar organin e akuzës të pezullojë dosjen penale me nr 449, e vitit 1995. Në një përgjigje zyrtare që Sollaku i ka dërguar Sekretares se Përgjithshme të Amnesty International në Londër, Irene Khan, pasqyrohet me detaje çdo hap i ndjekur nga prokuroria dhe pengesat që e kanë detyruar atë të mos i shkojë në fund çështjes së Remzi Hoxhës. Ky raport i Prokurorit të Përgjithshëm mban numrin e protokollit 3960 dhe është përpiluar më 16 dhjetor 2004, dy muaj pas kërkesës që ishte bërë nga Amnesty International. Gazeta boton të plotë raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për dosjen 449, dërguar Amnesty International në Londër.
Lënda:Përgjigje faksit tuaj të datës 11 tetor 2004.
Amnesty International, z.Irene Khan Sekretare e Përgjithshme
E nderuar z.Khan, përsa kërkoni në faksin tuaj të datës 11 tetor 2004, ju sqarojmë sa më poshtë: Mbi bazën e rekomandimit të dërguar nga ana e Avokatit të Popullit Ermir Dobjani, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datën 17.01.2003, rifilloi hetimet e pezulluara të procedimit penal nr. 449, të vitit 1995, që bën fjalë për ushtrimin e torturës ndaj Remzi Hoxhës dhe zhdukjen e tij si dhe ushtrimin e torturës ndaj Ziso Kristopullit dhe Armando Loshajt.
Për ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimin e këtij procedimi u ngarkua posaçërisht një prokuror i kualifikuar si dhe tre oficerë të policisë gjyqësore, të cilët kryen intesivisht të gjitha veprimet e mundëshme në përputhje të plotë me ligjin procedurial penal. Mbi bazën e kërkesës se prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi masën e sigurimit arrest në burg për: Arben Sefgjini, ish-zv/drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Informativ Kombëtar të rrethit Tiranë; Ilir Kumbaro, ish-kryetar i Degës së Parë në këtë Drejtori; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit nr.10 dhe Budion Meçe, ish-inspektor po në këtë drejtori.
Për tre nga personat e mësipërm dhe pikërisht për Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budion Meçen masa e sigurimit u ekzekutua dhe ata u burgosën. Pasi u kryen disa veprime hetimore akuza ndaj Avni Koldashit u pushua nga organi i procedimit penal dhe ai u lirua nga burgu pasi nuk rezultoi të kishte kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës.
Për personin nën hetim Ilir Kumbaro nuk u bë e mundur të ekzekutohej masa e sigurimit sepse ndodhej jashtë shtetit, pa adresë të përcaktuar saktësisht. Ndaj këtij të fundit u bë shpallja e kërkimit ndërkombëtar, por kërkimi nuk dha rezultat. Nga tërësia e materialeve dhe provave që u bë e mundur të grumbulloheshin rezultoi se:
Të pandehurit Arben Sefgjini, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin konsumuar elementët e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe të torturës ndaj Remzi Hoxhës, shqiptar nga trevat e Maqedonisë, Ziso Kristopullit banor i fshatit Ksamil të rrethit Sarandë dhe Avdyl Loshajt shqiptar nga Kosova. Shpërdorimin e detyrës ish-punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) e kanë kryer duke i marrë e izoluar me forcë për periudha të gjata kohe tre personat e sipërshënuar, duke përdorur dhunë sistematike ndaj tyre për disa ditë me radhë si dhe duke përpiluar akte me përmbajtje fiktive në emër të Avdyl Loshaj e Ziso Kristopulli nën presionin e dhunës fizike e psikike.
Veprat penale të mësipërme parashikohen nga nenet 248 e 25, 26, 27 dhe 86 e 25, 26, 27 të Kodit Penal. Por të dyja këto vepra penale janë amnistuar meqënëse janë konsumuar përpara datës 5 prill 1997, kur ka hyrë në fuqi ligji nr.8202, datë 27.03.1997 Për amnistinë.
Në këtë procedim penal janë ngritur versione dhe janë kryer të gjitha veprimet e mundëshme hetimore dhe në lidhje me veprat penale të rrëmbimit, parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal; torturës me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 87 i Kodit Penal dhe vrasjes, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal, vepra këto që nuk janë amnistuar nga ligji i sipërpërmendur.
Por elementët e veprave penale në fjalë nuk u vërtetuan pasi:
1)-Vrasja ose vdekja e Remzi Hoxhës mund të ketë ndodhur, por nuk provohet fakti kriminal përderisa nuk është gjendur kufoma dhe nuk është përcaktuar shkencërisht shkaku direkt i vdekjes.
2)-Rrëmbimi kërkon qëllimin për të fituar pasuri ose për të siguruar çdo lloj përfitimi tjetër, gjë që në rastin konkret nuk ekziston. Marrja me forcë është bërë në saj të detyrës, ndonëse në kundërshtim me ligjin.
3)-Tortura me pasoja të rënda kërkon shprehimisht si element përbërës të saj gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, pasoja këto që nuk mund të vërtetohen në mungesë të ekspertimeve mjeko-ligjore.
Theksojmë se Avdyl Loshaj aktualisht banon në qytetin Bred të Holandës dhe grupi hetimor shkoi e pyeti atë në vendbanimin e tij. Ai konfirmoi përdorimin e dhunës nga ish-punonjësit e SHIK-ut, por nuk kshte dëmtime që mund të kategorizohen pasojë e rëndë sipas dispozitës penale të sipërshënuar.
Në kushtet e mësipërme, pas kalimit të afateve maksimale të paraburgimit, gjykata i liroi tre të arrestuarit dhe organi procedurës pushoi akuzat e ngritura si dhe pezulloi hetimet në lidhje me zhdukjen e Remzi Hoxhës. Dosja e pezulluar i ka kaluar organit kompetent të policisë për vazhdimin e gjurmimit në rrugë operative.
Ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj.
Prokurori i Përgjithshëm
Pse e fshehin varrin e Hoxhës
Nga: Artan Hoxha
Zbulimi i eshtrave të biznesmenit Remzi Hoxha ose pendimi i njërit prej ish-shikasve të implikuar në zhdukjen e tij mbeten të vetmet mundësi që prokuroria të çojë drejt burgut autorët e këtij krimi. Pas afro një muaji nga rifillimi i hetimeve për dosjen nr.449 prokuroria ka mbetur serish i gozhduar, pasi nuk disponon provat e duhura për të vënë me shpatulla pas murit personat e dyshuar. Kanë kaluar më shumë se 11 vjetë nga zhdukja e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, por autorët e këtij krimi janë ende të lirë dhe të pandëshkuar nga drejtësia. Edhe në rastet kur prokuroria ka arritur të provojë akuzat ndaj personave të implikuar në këtë krim shtetëror ka qenë e pamundur që ata të çoheshin në qelitë e burgut. Në raportin që Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku i ka dërguar Amnesty International dëshmohet qartë ky fakt, madje për organin e akuzës duket se nuk ka asnjë pikë dyshimi se kush janë personat përgjegjës, por ajo nuk mund ti ndëshkojë ata. Përpjekjet e vazhdueshme të prokurorisë për të ndryshuar klasifikimin e veprës penale tashmë kanë mbetur të bllokuara në një pikë, mungesën e provës kryesore, eshtrave të viktimës.
Amnistia
Në raportin dërguar sekretares së përgjithshme të Amnesty International Irene Khan thuhet se prokuroria i rihapi hetimet më 17 janar 2003 në lidhje me çëshjen nr.449. Grupi hetimor i përbërë nga një prokuror dhe tre oficerë të policisë gjyqësore punoi për më shumë se një vit, madje për herë të parë u lëshuan katër urdhër-arresti për personat e dyshuar. Prokuroria ia doli mbanë që të provonte akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe torturës në ngarkim të Ilir Kumbaros, Arben Sefgjinit dhe Budjon Meçes. Deklarimet e sarandiotit Ziso Kristopulli dhe kosovarit Avdyl Loshaj ishin të pakundërshtueshme për të akuzuarit. Por edhe pse akuzat e mësipërme u provuan, ish-shikasit e Gazidedes e hodhën lumin pa lagur, pasi veprat penale të konsumuara prej tyre ishin kryer para datës 5 prill 1997. Prokuroria u detyrua të hiqte dorë pasi këto vepra penale ishin amnistuar nga ligji nr. 8202, Për amnistinë, i dekretuar nga ish-presidenti i Republikës Sali Berisha më 27 mars 1997. Ndërsa akuza e vrasjes, nuk provohej pasi nuk kishte kufomë të viktimës.
Provat
Ligji Për amnistinë e detyroi prokurorinë që të riklasifikonte veprat penale për të cilat akuzoheshin ish-shikasit. Akuzat e reja ishin rrëmbim personi parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal, torturës me pasoja të rënda parashikuar nga neni 87 i Kodit Penal dhe vrasjes parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal. Të treja këto vepra penale nuk janë amnistuar nga ligji nr.8202, por gjatë hetimit për të provuar këto akuza prokuroria ndeshi në probleme të tjera. Në raport nuk vihet në dyshim fakti që vrasja e Remzi Hoxhës ka ndodhur, por përsa kohë nuk është gjetur kufoma e viktimës dhe nuk është bërë ekspertiza shkencore një akuzë e tillë nuk mund të provohet. Akuza e torturës ndaj Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt u provua. Por nuk rezultoi se pasojat në shëndetin e tyre kishin qenë të rënda, fakt ky që do të provonte akuzën e torturës me pasoja të rënda. Në këto kushte mbetet që vetëm zbulimi i eshtrave të Remzi Hoxhës ose dëshmia në cilësinë e të penduarit nga njëri prej pjesmarrësve në këtë krim, të çojnë drejt fundit hetimin 11 vjeçar të dosjes nr.449. Pikërisht ky fakt justifikon qëndresën stoike të ish-shikasve të Gazidedes për të mos treguar qoftë dhe në rrugë anonime vendodhjen e eshtrave të Remzi Hoxhës.
Klosi u sulmua pas dëshmisë për zhdukjen e Hoxhës
Nga: Artan Hoxha
Ish-Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi ishte viktima e një sulmi të dhunshëm të kryer ndaj tij afro tre javë më parë nga ish-inspektor i SHIK-ut të Gazidedes, Anibal Basha. Më datë 30 tetor Klosi kishte qenë i ftuar në një television privat ku kishte deklaruar disa detaje mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe mbi identitetin e personave(ish-shikas) të implikuar në këtë histori. Mëngjesin e një dite më pas Klosi u sulmua fizikisht në pragun e banesës së vet, afër qëndrës së kryeqytetit, nga ish-inspektori i SHIK-ut Anibal Basha. Pretendimi i agresorit ishte fakti që Klosi ia kishte përmendur emrin në media si i implikuar në çështjen Hoxha. Klosi e cilësoi ngjarjen jo vetëm si sulm ndaj tij, por si një mesazh për të gjithë ata që kërkojnë zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. Pas ngjarjes Anibal Basha u ndalua nga policia dhe gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë me burg pa afat. Aktualisht Anibal Basha është i vetmi emër i përfolur në çështjen Hoxha që ndodhet në kushtet e izolimit, pasi personat e tjerë ose janë lënë të lirë ose ndodhen jashtë shtetit në kërkim ndërkombëtar. Në një raport të klasifikuar sekret që ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi ia dërgonte Avokatit të Popullit më 31 korrik 2002 në lidhje me çështjen Hoxha thuhej se:Fillesa e kësaj historie ka shumë gjasa të jetë tek deponimet e të zbërthyerit si agjent i zbulimit serb Armand Loshaj, deponime të cilat nuk kanë qenë të administruara zyrtarisht në SHIK. Shpjegimet e Armandos na janë dorëzuar në formën e një kujtese të shtypur nga ish-inspektori i SHIK-ut Anibal Basha. Përpilimi i këtij raporti dhe publikimi në media i emrave të ish-shikasve të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, e bën Fatos Klosin të ishte viktima e radhës e përsonave të dyshuar për krimin e ndodhur 11 vjetë më parë.
(08.11.2006)
Dosja Hoxha, ripyetet ish-shikasi Basha
Nga Gazmend Janku
Anibal Basha, ish- shikasi që dhunoi fizikisht disa ditë më parë ish-kreun e SHISH-it, Fatos Klosin, duket se është njëkohësisht edhe i pandehur edhe dëshmitar. Hetuesit e Prokurorisë së Tiranës e marrin në pyetje për dhunën e ushtruar ndaj Klosit. Ndërsa ato të Krimeve të Rënda e marrin në pyetje për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxhës. Në të dyja rastet, Anibali përveçse ka vështirësuar punën e hetuesve, nuk mund të thuhet që ka ndihmuar në zbardhjen e njërës apo tjetrës ngjarje. Por ajo që ka më shumë interes janë hetimet për zhdukjen e Remzi Hoxhës, ku emri i Anibal Bashës përmendet në raportin e SHISH-it dërguar Avokatit të Popullit. Sipas këtij raporti, Basha ka qenë inspektori që ka zbërthyer Avdyl Loshajn, si agjent serb. Dhe nga këtu dyshohet të kenë zanafillën ideja për marrjen e Remzi Hoxhës nga ish-punonjësit e SHIK-ut. Për këtë arsye hetuesit e çështjes kanë zhvilluar një tjetër seancë pyetjesh me Bashën, me shpresën për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj ngjarjeje. Por ashtu si edhe në rastet e tjera, Anibali edhe pse ka folur shumë rreth kësaj ngjarjeje, thëniet e tij nuk janë bindëse dhe për më tepër nuk janë të provueshme. Burime të Gazetës janë shprehur se Basha ka pranuar para hetuesve se pas përpunimit të agjentit serb, Avdyl Loshaj ka marrë prej tij të dhëna dhe emra konkretë të bashkëpunëtorëve të tij, që kishin për qëllim të destabilizonin rendin dhe sigurinë në vendin tonë. Më tej, Anibali në deklaratat e tij jep disa versione për veprimet e mëvonshme të kolegëve te drejtuesve të SHIK-ut, por që shpesh herë këto deklarata janë kontradiktore dhe nuk kanë një linjë të qartë logjike. Burime të Gazetës janë shprehur se Anibal Basha ishte pyetur edhe në vitin 2003 nga ish-hetuesit e dosjes Hoxha, por edhe atëherë thëniet e tija kanë qenë kontradiktore, sikurse edhe sot. Ai pohon se i njeh të gjithë emrat e prezantuar nga hetuesit e çështjes, edhe pse disa prej emrave nuk kanë fare lidhje me dosjen, - janë shprehur burimet. Edhe pse zyrtarisht nuk është pohuar, burime të Gazetës janë shprehur se nuk është e vështirë të kuptosh se Anibal Basha gjatë deklaratave të tija dhe mënyrës së sjelljes, shfaq çrregullime mendore, të cilat ndoshta më vonë duhen vërtetuar nga kryerja e ekspertimit psikik.
Klosi s`shkon në Prokurori: Gazidede kishte gisht në zhdukjen e Hoxhës
Ish-shefi i Shërbimit Infor mativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi, as dje nuk është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku do të pyetet për ato çfarë di rreth rrëmbimit dhe zhdukjes së tregtarit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Klosi do të thirrej, pasi vartësit e tij, disa vite më parë hetuan rreth zhdukjes së biznesmenit. Madje emri i Klosit është përmendur edhe nga Gazidede. Për zhdukjen e Hoxhës, të pyeten Sollaku dhe Klosi, - tha ish-shefi i SHIK-ut deri në vitin 1997.
Ndërsa dje, Fatos Klosi është shprehur për një televizion në kryeqytet, se Gazidede ka pasur gisht në zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit. Punonjësit e mi që u morën me verifikimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Hoxhës nga punonjësit e SHIK-ut, arritën në përfundimin se Gazidede ka pasur gisht në zhdukjen e tij, - ka thënë Klosi.
Familjarët e të humburit që në vitin 1995, i kanë kërkuar shtetit që të ndërhyjë për gjetjen e eshtrave të Hoxhës. Madje, për humbjen e tij pa asnjë gjurmë, ka reaguar dhe Amnesty International.
(06.11.2006)
Zhdukja e shqiptaro-maqedonasit, hetuesit vlerësojë çdo informatë
Hoxha, Prokuroria verifikon dëshmitë e dhëna në NEWS24
Jetë në kërkim, një puntatë për treg
Nga:Gazmend Janku
g.janku@gazetashqiptare.com
Grupi i hetuesve që po hetojnë rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka nisur të verifikojë dëshmitë e dhëna për këtë ngjarje në emisionin Jetë në kërkim, në televizionin NEWS 24. Dy javë më parë, në këtë emision u trajtua pikërisht ngjarja e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha, në tetor të viti 1995. Gjatë emisionit, telefonues të ndryshëm kanë lënë numrat e tyre të telefonit, duke pretenduar se dinin fakte konkrete mbi këtë ngjarje. Ndërkohë që njëri prej teleshikuesve, në linjë të drejtpërdrejtë telefonike u shpreh se Remziun e kishin rrëmbyer punonjës të SHIK-ut dhe se ai e dinte se ku gjendej varri i biznesmenit. Pikërisht, këto të dhëna janë vlerësuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, me interes në hetimin e kësaj çështjeje. Për këtë arsye, grupi i hetimit aktualisht është duke verifikuar dëshmitë e dhëna në emisionin Jetë në kërkim, me shpresën për të shkuar sa më pranë zbardhjes së të vërtetës për këtë ngjarje; e cila prej më shumë se 11 vitesh vazhdon të jetë e mbuluar me mjaft mistere. Burime pranë organit të akuzës, edhe pse kanë pranuar faktin se po verifikon të dhënat e marra nga emisioni i televizionit NEWS 24, nuk kanë pranuar të japin të dhëna të tjera në lidhje me rezultatet. Një informacion i tillë është konsideruar si mjaft sekret, pavarësisht indicios së marrë nga emisioni Jetë në kërkim.
HETIMET
Rihapja e radhës e hetimeve për zhdukjen e Remzi Hoxhës, kësaj here i është besuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë 11 viteve të hetimit të pasuksesshëm të kësaj ngjarjeje, janë marrë shumë dëshmi dhe janë kryer dhjetëra veprime hetimore, por sërish zbardhja e së vërtetës nuk është bërë e mundur. Edhe pse tashmë dihet zyrtarisht se Hoxha është rrëmbyer nga ish-punonjës të SHIKut. E vetmja risi në këtë dosje është dëshmia zyrtare e dhënë nga ish-kreu i Shër bimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede, disa ditë më parë në prokurori. Ashtu sikurse pritej, Gazidede ka mohuar faktin që Remzi Hoxha të jetë rrëmbyer nga SHIK-u i atëhershëm që ai drejtonte. Ndërkohë, pritet që për dosjen në fjalë të japë shpjegime para hetuesve edhe ish-kryetari i SHISH-it, Fatos Klosi. Ky i fundit ka pranuar publikisht se nga verifikimet e kryera në kohën kur drejtonte shërbimin informativ, rezulton se biznesmeni Hoxha ishte marrë nga ish-punonjësit e SHIK-ut. Madje, ky konkluzion është renditur edhe në një raport të SHISH-it, që i është dërguar tre vjet më parë Avokatit të Popullit dhe që aktualisht ndodhet i administruar në dosjen penale.
Ekskluzive/ Jetë në kërkim rihap dosjen për biznesmenin maqedonas Hoxha. Flet i vëllai
Remziu është parë në burgun e SHIK
Na thanë se do ta zhduknin nëse s'jepte informacion
TIRANE
Emisioni Jetë në Kërkim në televizionin Neës 24, ka rihapur dje dosjen misterioze për zhdukjen e biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, në tetor të vitit 1995. Si për ironi të fatit, zhdukja e tij nuk dyshohet të jetë bërë nga persona keqbërës me qëllime përfitimi, por nga një institucion shtetëror siç ishte SHIK-u, i cili ka për detyrë të garantojë dhe të parandalojë çdo veprimtari që cenon shtetin dhe jetën e shtetasve. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 11 vjet nga kjo ngjarje e mbuluar me mister, ende nuk dihet asgjë mbi motivet e kësaj ngjarjeje dhe fatin e Remzi Hoxhës. Në emisionin Jetë në kërkim të drejtuar nga Mirjeta Ngjela, vëllai i Remziut, Nexhmedin Hoxha ka treguar përpjekjet shumëvjeçare të familjes Hoxha për të mësuar fatin e njeriut të tyre. Por ashtu siç e shpreh edhe në intervistë, edhe në ato institucione të vendit tonë dhe atij maqedonas, ku hapej dera, përgjigja ishte vetëm ngritje supesh. Me iniciativën e tyre, familjarët e Remziut kanë pyetur edhe rojën e rezidencës së SHIK-ut në pyllin e fshatit Tale të Lezhës, i cili mësohet t'u ketë thënë se e kishte Remziun në atë godinë dhe se nëse ai nuk u jepte informacionin që donin do ta zhduknin.
Z.Nexhmedin, a mund të në thoni në cilat institucione shqiptare jeni interesuar për fatin e vëllait tuaj?
Përpjekjet tona për më mësuar fatin e Remziut i kemi bërë në çdo derë të institucioneve shtetërore në Shqipëri që mund të na jepte një përgjigje. Çdo interesim i yni rezultoi i pasuksesshëm. Pasi nuk morëm asnjë përgjigje, nëse Remziun e kishte marrë policia apo SHIK-u, iu drejtuam edhe Ambasadës maqedonase në Tiranë. Por as nga kjo e fundit nuk morëm asnjë përgjigje.
Po në Maqedoni keni kërkuar ndihmë te institucionet vendore?
Po, kemi shfrytëzuar njohjet tona me përfaqësues të politikës shqiptare në Maqedoni dhe që ishin pjesë e Kuvendit Maqedonas. Ali Spahiu na ka kthyer përgjigje që autoritetet nuk arrijnë ta gjejnë Remziun. Ndërsa Ismet Ramadani na dha një përgjigje krejt të kundërt, duke na thënë që Remziu shumë shpejt do të lirohet. Por asnjëherë nuk e morëm vesh se nga i kishin marrë këto informacione, që ishin krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri.
A keni kryer hetime private me avokatë?
Shumica e avokatëve që kemi kontaktuar dhe i kemi parashtruar problemin tonë na janë përgjigjur negativisht. Mesa duket ato kishin informacione rreth çështjes dhe na kanë kthyer përgjigje që nuk mund të na ndihmonin. I vetmi avokat që pranoi të angazhohej me zbardhjen e çështjes, Bajram Kelmendi nga Kosova, nuk u pranua as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Ministrinë Brendshme shqiptare.
z.Nexhmedin, po persona që mund të kenë pasur dijeni mbi vendndodhjen më të fundit të Remziut, i keni kontaktuar?
Po , nga hetimet e kryera u ngritën dyshime të forta që Remziun e kishin çuar në burgun e SHIK-ut në Lezhë, brenda pyllit që ndodhet aty. Ne pas shumë përpjekjesh arritëm të takonim një ish-roje të burgut. Ai na tha se e kishte parë Remziun në atë vend, duke na shpjeguar edhe dhomat e godinës se për çfarë përdoreshin. Kur e pyetëm nëse e kishte parë që ta nxirrnin prej andej, ai na tha se këtë moment nuk e kishte parë, pasi kur kishte ardhur në turnin e radhës, nuk e kishte parë më.
A mësuat ndonjë fakt për çfarë e kishin marrë?
Sipas rojës së burgut, ato të SHIK-ut kërkonin një informacion prej Remziut. Ai na tha se kishte dëgjuar të flitej në atë kohë, se nëse Remziu nuk u jepte informacionin që donin atëherë ata do ta zhduknin.
Pas gjithë këtyre përpjekjeve dhe viteve, cili është apeli juaj drejtuar institucioneve apo personave që mund të kenë dijeni?
Kërkojmë vetëm të rivarrosim dhe t'i bëjmë nderimet e fundit Remziut siç e do zakoni. Nuk duam asgjë tjetër. Gjatë këtyre viteve kemi pasur tre fatkeqësi në familje, Remziut i kanë vdekur prindërit dhe një vëlla. Por këta të paktën i kemi varrosur. Ndërsa për Remziun akoma nuk po gjejmë qetësi, për sa kohë nuk e dimë të paktën se ku i ka eshtrat.