ZHVILLIMI I FUNDIT
(28.05.2007)
U nisën drejt Greqisë, gjenden çobenj në Konispol
Nga: Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Sërish lot gëzimi në studion e Jetë në Kërkim, në NEWS 24. Në emisionin e Mirjeta Ngjelës të së hënës mbrëma, gjenden babë e bir, të zhdukur rrugës për të emigruar në Greqi, një muaj më parë. Aqif Kaloti me të birin 10-vjeçar, në 27 prill kishte lënë shtëpinë në Peqin dhe ishte nisur në drejtim të Sarandës, me destinacion Greqinë. Kur të gjithë shokët e bashkëmoshatarët e tij vazhdonin shkollën, Çeliku ka ndjekur të atin drejt emigrimit, për ta ndihmuar sadopak këtë në përpjekjet për të siguruar jetesën e familjes. Por, një ngjarje e tmerrshme kishte ndodhur me djalin e tij, Çelikun dhe kishte ndryshuar itinerarin e tyre. Babë e bir shkëputin të gjitha lidhjet me familjen dhe askush nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte me ta. Të paktën deri të hënën e kaluar, kur rasti i zhdukjes enigmatike u trajtua nga Mirjeta, në emisionin Jetë në Kërkim. Banorë të qytetit të Sarandës, ndjekës të rregullt të emisionit Jetë në Kërkim, janë kthyer në pjesë të stafit të Jetë në Kërkim, duke dhënë orientime të sakta të vendndodhjes dhe aktivitetit që Aqifi me të birin kryenin për të siguruar jetesën në zonat e Sarandës. Një aktivitet i ndërmjetëm i tyre, deri në momentin që do t'u krijohej mundësia për të kaluar kufirin për në tokën e premtuar helene. Shkëndija, e shoqja dhe Osmani, i ati, kanë komunikuar drejtpërsëdrejti në studion qendrore të Jetë në Kërkim, me telefon me Çelikun dhe të birin. Pasi janë siguruar që ishin mirë dhe se do të ruanin kontaktet me njëri-tjetrin, ata janë larguar nga studioja e Mirjetës, për t'ia lënë vendin një tjetër familjeje që gjithashtu është në kërkim të të afërmit të vet të zhdukur. Osmani dhe e reja, Shkëndija, kanë falënderuar Mirjetën dhe gazetarët për ndihmën e dhënë dhe u kanë uruar të ftuarve të tjerë të kenë të njëjtin fat. Kamera e Jetë në Kërkim udhëtoi gjatë javës drejt vendit ku gjendej Aqifi me të birin. Për të takuar babë e bir, me mbiemër Kaloti, duhet të shkosh në Sarandë dhe më tej të ndjekësh kilometra të tëra, rrugët midis maleve të thepisura që të çojnë drejt Konispolit. Ishin të shumtë njerëzit që na siguronin se Aqifi dhe Çeliku ndodhen në Konispol. Dëshmitë thoshin se Aqifi bashkë me djalin 10-vjeçar, po tentonin të kalonin kufirin shqiptaro-grek në pikën kufitare të Kataetos. Një udhëtim i gjatë nga Saranda në Konispol e më pas në fshatin Mursisë, 5 km në vijë tokësore nga Konispoli. Pika kufitare e Kataetos, aty ku u hapën kufijtë për herë të parë në Shqipëri, në vitet '90, i përket këtij fshati. Stanet ndodhen në vendin e quajtur Rah. Aty ndodhet bari me dhen Aqifi, dhe si gjithnjë nga pas e ndjek Çeliku 10-vjeçar. Ndërsa, të gjithë moshatarët e tij në këtë ditë të diel që ne takuam, janë duke luajtur me lodra nga më të ndryshmet, Çelikut i gjejmë veç një biçak në dorë, i cili i duhet për të prerë purteka, apo për ndonjë nevojë tjetër.
Aqifi tregon se qëllimi i tij ishte të emigronte drejt Greqisë, ku kishte qenë edhe më parë. Do të ishte pikërisht Greqia, vendi ku Çeliku i vogël do të pësonte një traumë aspak të lehtë për t'u përballuar. Shtetas grekë, fqinjë në shtëpinë ku ai banonte me të atin, do ta dhunonin fëmijën. Kjo është arsyeja përse Aqifi ka vendosur ta mbajë me vete djalin kudo që shkon, për t'i dhënë atij mbështetje prindërore. Tashmë, janë të gjetur nga Jetë në Kërkim, por Aqifi thotë se nuk do të kthehen në shtëpi. Kanë një arsye shumë të fortë. U duhet të punojnë gjatë të gjithë verës dhe vjeshtës, që në fund të vitit të kenë se çfarë të sjellin për njerëzit e tyre të dashur. Ajo që na ngushëllon është premtimi i vetë Aqifit, i cili pohon se në shtator do të regjistrojë në shkollën e fshatit ku ndodhen tashmë, djalin e tij. Të paktën, Çeliku do të ketë mundësi të arsimohet dhe të rritet deri në dhjetor 2007 larg nënës së tij.