ZHVILLIMI I FUNDIT
(16.04.2007)
I gjeturi
Urimi për ribashkimin me familjen
Vizita në shtëpinë e Alketit pas gjetjes së tij
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Zemra e një nënë me në fund rrahu me gëzim për djalin e saj të rigjetur. Nëna, Xhevahirja tregon me lot në sy se më në fund pas shumë vitesh rigjeti djalin e saj, me të cilin i kishte shkëputur lidhjet këtu e katër vjet të shkuara. Alket Ajbikaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të Lotarisë Amerikane, Green Card. Por vetëm pas pak kohësh emigrimi në Amerikë, Alketi i shkëput të gjitha lidhjet me familjen. Familjarët, tepër të shqetësuar për këtë fakt, vendosen ta denoncojnë rastin në emisionin Jetë në Kërkim. Stafi i emisionit nuk i zhgënjeu shpresat e familjes Albikaj. Alketi, pas një periudhe të shkurtër kohore që nga denoncimi i rastit, komunikoi me familjen e tij duke u thënë se ishte shëndoshë e mirë. Tashmë familja Albikaj derdh lot gëzimi e mallëngjimi për djalin e tyre të dashur.
Denoncimi
Ishte pikërisht Vjollca, një nga motrat e Alketit, e cila ka trokitur në dyert e këtij emisioni, me shpresën e madhe se vëllai i saj më i vogël do te gjendej. Dhe rezultati erdhi.
(09.04.2007)
Telefonata nga SHBA pas 5 vitesh, surpriza më e bukur për familjen nga Ballshi.
Alket Albikaj: Jam në Amerikë dhe jam mirë
E ëma: Nuk doja të vdisja pa i dëgjuar zërin
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Sërish lot gëzimi në studion e Jetë në Kërkim, në emisionin e djeshëm në NEWS 24. Dy familje që bashkohen me të dashurit e tyre të humbur. Ishte mjaft prekës përqafimi mes Vjollca Pajës dhe Mirjeta Ngjelës, i cili simbolizonte përfundimin e ankthit për familjen e Vjollcës. I vëllai, Alket Albikaj, 5 vjet pas ikjes në Amerikë kontakton me ta, duke i siguruar që është mirë dhe që prej mbrëmjes së djeshme e në vazhdim do të mbante lidhje të përhershme me ta. Kishin shumë për të thënë motër e vëlla dje në telefon, por ishte mjaft e mundimshme për të dashurit e Alketit, periudha gati 5-vjeçare e zhdukjes së tij, derisa gazetarët e Jetë në Kërkim mundësuan gjetjen e tij përtej oqeanit.
Historia
Alketi emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të lotarisë amerikane. Për tre vitet e para komunikoi në mënyrë të rregullt me familjen. Madje, Alketi ka dërguar vazhdimisht para për familjen, duke ndihmuar nënën e tij. Nga fundi i vitit 2004, Alketi ndërpret përfundimisht kontaktet me familjen, e cila nuk kishte më asnjë informacion. Kontakti i fundit daton më 28 dhjetor 2004. Në numrin e telefonit që u kishte lënë Alketi u dilte një zë femre, e cila në anglisht i ka këshilluar që të mos e kërkonin më Alketin në atë numër. Alketi kishte jetuar në Ohajo dhe më pas ishte vendosur në Connecticut.
Kërkimet
Është një rast model, për sa i përket mënyrës së kërkimit nga gazetarët e Mirjeta Ngjelës. Ambasada amerikane në Tiranë, Ambasada shqiptare në SHBA, kompanitë e transfertave ndërkombëtare, gazeta e shqiptarëve të amerikës Iliria News, emisioni Most Wanted në SHBA dhe detektivë privatë që u ofruan në emisionin Jetë në Kërkim, ishin bashkëpunëtorët e Mirjetës në investigimin për gjetjen e Alketit. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, në një rast si ky ku të gjithë ofrohen të bëhen partnerë në nismën humane të bashkimit të një familje të ndarë prej 5 vitesh. Alketi u gjet, ndërsa e ëma që prej tre vitesh ka zënë shtratin nga ankthi, tashmë e ka hedhur tej pikëllimin e saj. Nëse nuk kam vdekur, vetëm për t'i dëgjuar edhe një herë zërin Alketit, tani do shërohem që ta pres në këmbë kur të më kthehet në shtëpi, - do të shprehej Xhevahirja, e ëma e 18-vjeçarit.
Bashkëpunimi
Dy ambasadat, gazeta dhe emisione në Amerikë, si dhe detektivë privatë ndihmuan në gjetjen e Alketit.
E ëma
Nuk donte të vdiste pa dëgjuar zërin e të birit, tani kërkon të shërohet që ta presë në këmbë.