ZHVILLIMI I FUNDIT
(30.04.2007)
Misteri që mbart vajza dhe bëri të shkëpusë kontaktet
Telefonata e Edlirës pas 11 vitesh
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
'
Jetë në Kërkim publikon telefonatën me vajzën në Itali, që mendohet se është Edlira Kuqi. E zhdukur qysh në vitin 1996, vajza nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen. Gazetarja është prezantuar si Liza, një shoqe e Edlirës, dhe ajo i ka dhënë menjëherë të njohur. Në telefonat e tjera, kur vajza e ka kuptuar se nuk është Liza në anën tjetër të telefonit, por gazetarja, ka ndërruar menjëherë temë dhe tashmë në atë numër telefoni del një vajzë tjetër, që flet me dialekt gegërisht.
Gazetarja - Ma thuaj dhe një herë, ku është adresa?
Edlira - Kur të vish, të pres unë atje, provinca e Romës, Lacio. Më merr mua në telefon kur të vish dhe pastaj vij unë dhe të marr. Di italisht ti? Vij unë të marr kur të vish këtu në Roma Aeroport. Do të vij me autobus
Gazetarja - Me autobus…? Pse jeton në një fshat të Romës ti?
Edlira - Po, Po, në Lazio. Edhe mua (më ka marrë malli, i thotë shoqes së saj, Lizës) Adresën nuk ta jap, se unë jetoj me një grua… Edhe mua më ka marre malli. Se këtu jetoj me burrin, se unë jam në Romë. Unë rri te një grua
Gazetarja - Po rruga si quhet?
Edlira - Eja në aeroportin e Fiumicinos, nuk ta tregoj rrugën, të pres unë kur të vish… Takohemi ne Fiumicino. Roma-Termini, me tren! Kur vini ju? Kur të vish më bëj telefon ti mua dhe unë do vij. Do vij, do vij, se unë nuk jam ndonjë gocë ashtu!
Gazetarja - Po ti si ke qenë gjatë këtyre viteve?
Edlira – Eh! Dy ditë punoj, tre dite nuk punoj. Pastroj shtëpi
Gazetarja - Po ai burri qe flet aty me ty, kush është?
Edlira - Është një maqedonas, do të martohem me atë unë. Nuk di të flas shumë, e kam harruar gjuhën time.
Gazetarja - Në Petrelë rri familja jote akoma?
Edlira - Atje rri, në Shqipëri. E pse don ta dish….
Edlira – (ndërron bisedë) …e kur do vish, me tren apo me autobus?
Gazetarja - Nuk e kam vendosur akoma, nga java tjetër mund të vij…
Edlira – Mirë, kur të vish më thirr…. Mirë, mirë, Ciao!
(05.03.2007)'
Ftesës i është përgjigjur edhe IOM
Chi la Visto e RAI 3, nis kërkimet për Edlira Kuqin
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Bashkëpunimi
Kolegët e emisionit Chi la Visto?, në kanalin RAI3 në Itali, janë vënë tashmë në verifikimin e të gjitha të dhënave të grumbulluara nga emisioni i Mirjeta Ngjelës, në NEWS 24. Bashkarisht është kryer lokalizimi i vendit ku mendohet se ndodhet vajza nga Petrela e Tiranës për të tentuar të kontaktohet me të. Gazetarët e Chi la Visto?, janë partnerët e dytë italian të Jetë në Kërkim, të cilët janë duke punuar bashkarisht për gjetjen e vajzës pas 12 vitesh. Më parë thirjes së gazetares Mirjeta Ngjela, i ishin përgjigjur përfaqësues të IOM Roma, të cilët janë duke kryer edhe ata kërkimet e tyre. Edlira ishte vetëm 16 vjecce në vitin 1995, kur u një djalë i quajtur Shpëtim Kolgjini, i kërkoi dorën për fejesë në familje. Edlira largohet për të mos u kthyer më, qysh në shëtitjen e parë me të fejuarin e vet. Disa muaj më vonë ajo i telefonon të ëmës duke i thën se ndodhej në Itali, në Milano dhe se e kishin pajisuar me një pasaportë jugosllave me emrin Armdadela. Shpëtimi ndodhet aktualisht i arrestuar për drogë në Itali, ndërsa për autoritet shqiptare rezulton i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe i arratisur nga burgu.
(26.02.2007)
Chi la Visto? në kërkim të Edlirës
Jetë në Kërkim siguron një partner të rëndësishëm italian në kërkimet për gjetjen e Edlira Kuqit, e cila rezulton e zhdukur prej 12 vitesh në Itali. Janë kolegët e emisionit Chi la Visto? të kanalit RAI 3, në Itali, të cilët janë duke bashkëpunuar me stafin e gazetares Mirjeta Ngjela, për gjetjen e vajzës që sipas informacioneve, është ende viktimë e prostitucionit në periferi të Milanos. Edlira Kuqi ishte vetëm 16 vjeçe kur u prezantua në Elbasan me Shpëtim Kolgjinin, në atë kohë 21 vjeç. Në prill të vitit 1995, Shpëtimi dhe prindërit e tij të shoqëruar edhe nga të afërm të tjerë kërkuan dorën e Edlirës, dhe ajo zhduket qysh në xhiron e parë me të fejuarin e saj. I fejuari i saj, së bashku me të vëllain Dashamir Kolgjini, ndodhen në burgjet italiane me akuza të rënda, ndërkohë që e ëma e këtyre e pyetur nga gazetarët e Jetë në Kërkim, është shprehur se nuk ka dijeni për vendndodhjen e Edlirës.
(15.01.2007)
Gjendet në burgun e Torinos i fejuari i Edlira Kuqit
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Tirane -I kanë ofruar fejesë, pastaj një punë të mirë dhe të ndershme në Itali…. Edlira Kuqi është vetëm një prej atyre mijëra vajza shqiptare të mashtruara, të cilat të tradhtuara nga të dashurit apo dhe bashkëshortët e tyre, janë detyruar të prostituojnë trotuareve të vendeve perëndimore. Ishte vetëm 19 vjeçe tetorin e vitit 1995, kur një djalë e kërkoi në shtëpi që të fejoheshin. Dolën bashkë të bënin një shëtitje dhe diskutonin për ëndrrat e tyre, dhe prej asaj dite Edlira nuk është kthyer më në shtëpi. Si në të gjitha rastet e trafikut të prostitucionit, vajza është detyruar me forcë të shkëpuste lidhjet me familjarët. Në shtëpi i ka mbetur vetëm e ëma, e këputur nga dëshpërimi dhe sëmundja. Zbulimi i misterit të zhdukjes, gjetja e vendndodhjes së vajzës që tashmë është 32 vjeçe, është misioni i radhës për emisionin Jetë në Kërkim, në News 24. Gazetaria Mirjeta Ngjela ka prezantuar ngjarjen e rëndë, duke u bërë apel organeve kompetente që të merrnin më seriozisht dhimbjen e kësaj nëne. E vetmja gjë që e mban gjallë është instinkti i saj prej nënë, që e bija është gjallë diku dhe ka nevojë për ndihmë.
Investigimi
Java e kaluar ishte me të vërtetë intensive për stafin e Jetë në Kërkim. Një shkrim i 16 tetorit të vitit të kaluar në Gazeta Shqiptare, zbulonte se Shpëtim Kolgjini, personi që dyshohet se e ka dërguar Edlirën në Itali, ishte arrestuar nga policia e këtij vendi. Jetonte në Francë me identitetin e rremë, Preng Lala, ishte i martuar atje, ndërsa në momentin e arrestimit nga policia në Akona, kishte me vete 3,2 kilogramë kokainë. Kolgjini ishte gjithashtu nga më të kërkuarit e policisë shqiptare, pasi rezultonte i dënuar me 25 vite burg për vrasje të dyfishtë në qytetin e tij të Elbasanit dhe dyshohej edhe për dy tentativa vrasjeje. I arrestuar nga policia në Elbasan dhe i arratisur nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997.
Ekipi i Jetë në Kërkim shkoi në banesën e Kolgjinit në Elbasan, për të gjetur të dhëna rreth lidhjes së tij me Edlirën dhe nëse familjarët e tij mund të kishin ndonjë informacion për të. E ëma e Kolgjinit, një grua e goditur nga paraliza, ka pranuar se familja e saj e ka kërkuar Edlira Kuqin për ta fejuar me të birin, Shpëtimin. Por sipas saj, familja e vajzës nuk e aprovoi këtë fejesë dhe këtu janë ndërprerë marrëdhëniet mes dy familjeve. Ajo nuk ka pranuar të ketë dijeni për çfarë ka ndodhur me Edlirën më pas.