ZHVILLIMI I FUNDIT
(23.07.2007)
Dëshmia ekskluzive nga burgu. E pranuam se gabuam që ekzekutuam tezet
U Nisëm bashkë në Greqi se kërkoheshim për vrasje
Vrasësin kërkojeni tek ai që më akuzon mua
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
Kërkimet për të zhdukurin prej vitit 1997, Fatmir Rama, i kanë shtuar dyshimet e gazetarëve të emisionit Jetë në Kërkim, për një ekzekutim të tij, ndoshta edhe nga shokët më të ngushtë. Fatmir Rama, i dënuar për vrasjen makabre të dy të moshuarave në vitin 1991, gjatë trazirave të vitit 1997 do të arratisej nga burgu. Së bashku me bashkëpunëtorin e tij në krim, njëkohësisht shoku më i ngushtë, Rama niset në drejtim të Greqisë, por nuk dihet nëse arriti në destinacion. Gazetarët kanë siguruar dëshmitë e dy bashkautorëve të tij në krim, si dhe dëshmi të tjera që të çojnë drejt një vrasjeje të mundshëm të tij. Po kush e vrau dhe përse? Stafi i Jetë në Kërkim ka marrë tashmë dëshmitë e të gjitha palëve dhe po investigohet për secilën deklaratë.
Në fakt, në vitin 1991, në një pallat parafabrikat në katin e katërt në Laprakë, ndodhi krimi makabër. Dy motra të moshuara vriten dhe për këtë akuzohet dhe dënohet nipi i tyre, Genc Vathi, së bashku me dy shokë të tij, Fatmir Rama dhe Njazi Doraci. Dy plakat e masakruara u gjenden rastësisht pas një jave. Komshiu poshtë banesës së dy viktimave njoftojnë policinë se një njollë gjaku ishte shfaqur në tavanin e shtëpisë. Kufomat u gjetën të lidhura dhe të dekompozuara. Njëra prej të moshuarve ishte mbytur, ndërsa tjetra ishte vrarë më thikë. Për herë të parë ka folur ekskluzivisht për Jetë në Kërkim, Genc Vathi, njëri prej autorëve të krimit, dhe personi i fundit që ka qenë me Fatmir Ramën, rrugës për në Greqi.
Kurë dolët nga burgu për herë të parë?
Unë u dënova me burgim të përjetshëm për vrasjen e ty tezeve të mija. Në vitin 1997, gjatë rrëmujave dola nga burgu dhe u takova përsëri me Fatmirin, i cili dhe ai sapo kishte dalë nga burgu.
Për çfarë biseduat?
Vendosëm të largoheshim nga Shqipëria. Fatmiri kishte shkuar dhe herë të tjera në Greqi, në Selanik, ku ai kishte punuar në bujqësi. Së bashku me Fatmirin kaluam kufirin në fshatin Miras të Korçës
Kishte persona të tjerë përveç jush rrugës për në Greqi?
Jo, vetëm unë dhe Fatmiri. Ai i dinte rrugët, se kishte qenë dhe herë të tjera
Gjatë rrugës, patët ndonjë debat apo diskutuat për vrasjen kryer?
Jo, nuk kemi debatuar gjatë rrugës. Ndërsa për vrasjet biseduam se bëmë gabim
Kur e keni parë Fatmirin për herë të fundit?
Pas rreth 10 ditësh rrugë, fusha, ndalëm në një fshat të Selanikut që quhej Nigridë apo Igridë, nuk më kujtohet. I dhashë para Fatmirit, që hyri në një dyqan për të blerë ushqime se na ishin mbaruar, ndërsa unë po e prisja përjashta. U mbështeta në një pemë dhe po pija një cigare. Aty më vijnë dy persona të veshur civilë, të gjatë dhe më folën. Unë nuk dija greqisht dhe i kam thënë vetëm Oqi. Ata më kapën dhe më dërguan në burg. Pas një ditë më kthyen në Korçë
Që prej asaj ditë keni dëgjuar se çfarë ka ndodhur me Fatmirin?
Jo, nuk kam dëgjuar asgjë më për të.
U keni thënë të afërmve tuaj se Fatmirin e kanë ngrënë ujqit në kufi?
Jo, nuk është vërtetë. Nuk kam biseduar me askënd për Fatmirin
Njazi Doraci ju ka akuzuar se keni vrarë Fatmirin?
E kam parë intervistën. Por i them Njaziut, se përse duhet ta ketë vrarë Genc Vathi Fatmirin, por përse të mos ta ketë vrarë Njaziu, pasi ai i ka lënë vajzën Njaziut. Përse duhet ta kemë vrarë unë.
Është gjallë Fatmir Rama?
Që është gjallë, as nuk diskutohet, por se ku, nuk e di. Ose të paktën, për mua është gjallë. Ne do shkonim tek ish-pronari i tij, ne Selanik, por Fatmiri e kishte synimin diku tjetër. U them familjarëve të Fatmirit ta kërkojnë atë, pasi është gjallë.
Dëshmia
Genc Vathi u dënua me burg përjetë për vrasjen e tezeve. Ikën në Greqi me Ramën, por rikthehet vetë në burg. Për këtë amnistohet dhe dënimi i ulet në 20 vjet. Është duke shlyer dënimin dhe aktualisht në prag të lirimit.
Akuza
Njazi Doraci, bashkëpunëtorë në krimin e '91-it, ka akuzuar Genc Vathin se ka vrarë shokun e tyre, Fatmir Rama, rrugës për në Greqi. Doraci ishte dënuar 20 vjet, por iu ul dënimi pas rikthimit në burg.
(11.06.2007)
Misteri U arratis nga burgu gjatë trazirave të 97-ës
Në kërkim të të zhdukurit në Greqi, në vitin 1997
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
Ishte viti 1997, kur Fatmir Rama do të humbiste çdo kontakt me familjen e tij. Motra dhe e ëma nuk reshtin së kërkuari, pavarësisht se kanë kaluar pothuajse 10 vjet nga zhdukja e njeriut të tyre të dashur. Duket se fati e ka shënjuar me dhimbje që në vogëli. Nëna dhe babai i Fatmirit u ndanë kur ky i fundit ishte në moshë të mitur. Fatmiri me motrat dhe vëllanë u rritën sa në shtëpinë e fëmijës, sa në shtëpinë e babait të tyre, i cili tashmë ishte martuar me një grua tjetër. Sipas të motrës, Suzanës, Fatmiri ka pasur një jetë tejet të vështirë. Pas divorcit të prindërve, secili nga fëmijët ka marrë drejtimin e tij në jetë. Në këtë kohë, ai do të arrestohej së bashku me Genc Vathin, dhe ish-vjehrrin e tij, Njazi Doraci, me "akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Sipas familjareve, vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Kurse motra thotë se Fatmiri thjesht ka shoqëruar Vathin ditën e ngjarjes, por nuk ka gisht në vrasje. Të tre u dënuan me mbi 20 vjet burg. Vuajtën dënimin deri në vitin 1997 dhe gjatë trazirave të këtij viti, Fatmiri dhe Genc Vathi do të arratiseshin nga burgu për në drejtim të Greqisë.
Nëna
E përlotur, tregon se i mungon shumë i biri, madje i kërkon falje që i ka qëndruar afër kur Fatmiri ka pasur me shumë se kurrë nevojë për të.