ZHVILLIMI I FUNDIT
(30.04.2007)
Faktet e zhdukjes së oficerit 13 vjet më parë, rikthejnë plagën e gomoneve drejt Italisë
Misteri i zhdukjes së specialit me skaf në Jon
A i mori klandestinët anija e huaj pas përplasjes në det?
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Qindra e mijëra shqiptarë iu drejtuan në vitet e tranzicionit skafeve, të cilët ishin të ankoruar si taksi në brigjet e Jonit. Qindra e mijëra shqiptarë mbërritën me skafe në tokën e premtuar, por qindra të tjerëve ëndrrat i përfunduan në fund të detit. Sikur deti të kishte gojë nuk do të fliste, por do ulërinte dhimbjen e qindra të mbyturve. Janë këto fjalët e nëne 65-vjeçare, e cila prej 13 vitesh vazhdon të presë me sytë nga rruga, me shpresë se djali një ditë do të kthehet. Zhdukja e oficerit të ushtrisë, Haki Sula, shtatorin e vitit 1994, solli dje në emisionin Jetë në Kërkim, plagën e rëndë të trafikut me skafe drejt Apenineve. Misteret e zhdukjes 13-vjeçare janë prezantuar dje në emisionin e Mirjeta Ngjelës. E jëma thotë se ai ka ikur me një pasaportë me emrin Aki Bujar Haraniti në drejtim të Italisë.
Kush është?
Hakiu do të largohej nga familja e tij në Tepelenë në moshën 13-14 vjeçare, kur filloi akademinë ushtarake Skënderbej. Pas mbarimit të akademisë në vitin 1985, Hakiu, u emërua me detyrë në qytetin e Vlorës. Në vitin 1991 transferohet në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Ministrisë së Brendshme, që ndodhej në Vlorë. Në vitin 1994, Haki Sula nxirret në reformë. Në shtator, duke mos duruar dot papunësinë, ai niset për në Vlorë, me qëllim të udhëtojë drejt brigjeve italiane me skaf. Ai i kishte vënë në dijeni prindërit e tij për vendimin që kishte marrë, duke i qetësuar me faktin se skafistin e kishte shok. Sipas familjarëve, ditën e nisjes së Hakiut kanë mësuar e dy skafe janë përplasur me njëri- tjetrin. I ati, Bujari menjëherë ka filluar kërkimet për fatin e djalit të tij të vetëm, por pa marrë asnjëherë përgjigje.
Babai
Duke e ditur që djali ynë do të ikte dhe ishin bërë ditë që nuk kishim ndonjë lajm që ai kishte mbërritur, u nisa vetë për në Vlorë. Nuk kisha se ku të shkoja për të pyetur, por edhe në shtëpi nuk rrija dot, - ka thënë Bujari rreth kërkimeve të tij private për të birin. Por as në Vlorë nuk kishte mësuar dot ndonjë gjë dhe ishte kthyer në shtëpi, duke menduar se mbase më vonë do të kisha ndonjë informacion. Por ditët ia linin vendin njëra-tjetrës, ndërsa për Hakiun nuk pati asnjëherë ndonjë lajm.
E vetmja gjë që ka mësuar, ishte se atë ditë kur është nisur djali i tij janë përplasur dy skafe. Në Vlorë ishin hapur fjalë se një anije e huaj i ka shpëtuar të gjithë ata që ndodheshin në bord. Është kjo e vetmja shpresë që i mban gjallë, me bindjen se një ditë, kur të hapet dera e shtëpisë së tyre, të shohin Hakiun që kthehet.
Çdo ditë del në ballkonin e shtëpisë dhe një cigare i bën shoqëri pritjes së saj, që mesa duket nuk ka fund.
Historia
Haki Sula zhduket në 12 Tetor të vitit 1994. Ai i vë në dijeni prindërit e tij se kishte dëshirë të shkonte ne Itali, niset nga Vlora me skaf për në drejtim të Italisë, në atë periudh në televizione trasmetohet përplasja e dy skafeve. Pas marrjes së këtij lajmi familjarët duke ditur se djali i tyre do të nisej në atë kohë, nisen për në Vlorë për të mësuar dicka më shumë për djalin e tyre, se cmund ti kishte ndodhur. Por mbërritja në Vlorë nuk është se i ndihmon me marrjen vesh të ndonjë lajmi sepse asnjë nuk i thotë asgjë. Ende sot e kësaj dite syt e prindërve janë të përlotur për fatin e djalit të tyre që ende nuk dihet.