|
|
ZHVILLIMI I FUNDIT
(04.06.2007)
Mirjana Shaqiri mundi t'u shkëputej trafikantëve në Itali dhe tani studion për Drejtësi në vitin e katërt
Gjendet pas 14 vitesh në Itali, u rrëmbye në moshën 12-vjeçare
Vajza, prej 2 vjet kërkonte prindërit që e dinin të vdekur
Nga Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Katërmbëdhjetë vitet e kaluara në Itali mund ta bënin të harronte gjuhën shqipe, por jo dashurinë e prindërve të saj. Ishte vetëm 12 vjeçe, kur e rrëmbyen nga shtëpia dhe e trafikuan në Itali, vajza që dje, falë angazhimit të gazetarëve të emisionit Jetë në Kërkim, mundi të flasë nga Italia me motrën e saj të vogël, në studion e gazetares Mirjeta Ngjela. Ribashkimi i familjes ndodhi në momentin kur prindërit i kishin humbur të gjitha shpresat se Mirjana ishte gjallë, apo që do të mundnin ta takonin më. Por edhe vetë Mirjana, prej vitit 2000 ishte vënë në kërkim me ndihmën e një agjencie për asistencë në Itali, që të gjente prindërit. Lotët e gëzimit të dy motrave tregonin përpjekjet dhe peripecitë që kanë hequr deri mbrëmjen e së hënës, ku si mjaft familje edhe ato patën fatin të rigjenin të afërmit e tyre në NEWS 24. Kanë shumë për të thënë të dyja, për gati një dekadë e gjysmë që nuk ishin parë dhe dëgjuar. Mirjana, një vajzë që fati e kishte shenjuar vetëm me dhimbje, të paktën deri në momentin kur autoritetet italiane morën mbrojtjen e vajzës. Por çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre viteve? Si e kishte përjetuar familja mungesën e vajzës dhe kjo e fundit, që nuk e pati kurrë ndihmën e familjes në momentet më të vështira të jetës së saj. Por, me një zgjuarsi dhe optimizëm që lexohej nga të gjithë në sytë e saj, Mirjana mundi të kalonte këtë periudhë të errët të jetës së saj. Nga një e mitur e trafikuar dhe e shfrytëzuar, falë përkujdesjes së një misioni murgeshash në Itali, pas vetëdorëzimit në polici, Mirjana u rehabilitua plotësisht dhe tani ajo ndjek studimet në vitin e katërt për Drejtësi në një universitet italian.
Mërgimi
Ramazan Shaqiri, xhaxhai i Mirjanës ka rrëfyer historinë e dhimbshme. Ishte një pasdite e nxehtë gushti, kur rreth orës 16:00, i vëllai i Mirjanës dha alarmin se ajo kishte ikur nga shtëpia pa lënë ndonjë adresë. Ramazani tregoi rreth kërkimeve në Kombinat dhe në Vlorë, pasi dyshonte se mos e mbesa kishte ikur me gomone në Itali. Por, askush nuk u dha ndonjë informacion për Mirjanën, dhe për më keq akoma edhe familja filloi të humbte shpresat se ajo jetonte më. Në vitin 2000, një burrë i moshuar zgjoi shpresat e familjes, i cili është dhe personi i vetëm në këto 14 vite që ka deklaruar se Mirjana është gjallë dhe se jeton në Itali. Familjarët kryen kërkime private, por asnjëherë nuk gjetën ndonjë informacion që ta vërtetonte këtë fakt. Një rastësi e çuditshme do të zbulonte se në Gjendjen Civile të Kasharit ishte lëshuar një certifikatë për Mirjanën, në një kohë që ajo kërkohej gjithandej nga familjarët dhe ishte e shpallur në kërkim nga policia. Zbulimi u krye nga vetë Ramazani, i cili teksa nxirrte disa dokumente të tijat në zyrën e Gjendjes Civile, ka zbuluar një dosje të veçantë dhe një prokurë për pajisjen me dokumentin të mbesës së tij, Mirjana. Nuk ka mundur të shkojë më tej Ramazani për të zbuluar misterin e zhdukjes së mbesës, por me informacionin e marrë nga Gjendja Civile ka ardhur fill e në redaksinë e emisionit Jetë në Kërkim, duke kërkuar ndihmën e stafit të gazetarëve për zbardhjen e së vërtetës. Ka hyrë me të vërtetë me këmbë të mbarë në godinën e gazetarëve të NEWS 24, Ramzani. Në më pak se një javë, gazetarët zbuluan se me certifikatën e marrë në zyrën e Gjendjes Civile në vitin 2005, ishte nxjerrë një pasaportë nga policia, e cila zyrtarisht e kishte Mirjanën të shpallur në kërkim.
Zhaneta: Më vjen mirë që prindërit e gjetën
Po, unë e kam ndihmuar të nxjerrë dokumentet e identifikimit në bazë të një kërkese të Mirjanës dhe avokatit të saj. Dhe jo vetëm dokumentet e identifikimit, por edhe për marrjen e nënshtetësisë italiane. Është shumë mirë dhe studion në vitin e katërt për Drejtësi. Më vjen mirë që prindërit e kërkojnë dhe më në fund u gjetën, pasi unë nuk munda t'i gjej ata dy vjet më parë me kërkesën e vetë vajzës.
Zonja quhet Zhaneta Abazi dhe është përfaqësuese e një agjencie për këshillim asistence në Itali. Zonja Zhaneta rezultoi nga investigimi i gazetarëve të Jetë në Kërkim, si personi që me prokurë nga vetë Mirjana ka nxjerrë dokumentet e kësaj në Shqipëri.
Kontakti
Zhaneta siguroi numrin e telefonit të Mirjanës, foton aktuale dhe lidhjen me familjen
Zhdukja
Mirjana është larguar nga shtëpia në gushtin e vitit 1993. Familjarët kryen kërkime private në zonën e Kombinatit dhe në Vlorë, por pa mundur ta gjenin. Pa rezultat ishin edhe kërkimet e policisë
Shpresat
Ndërsa konsiderohej e vdekur nga familja, një person i moshuar në vitin 2000, do t'u jepte shpresë prindërve të saj duke deklaruar se vajza ishte në Tiranë. Disa javë më parë, Ramazani, xhaxhai zbulon prokurën. |