25 shtator 2006
Jetë në kërkim rikthen sërish precedentin e birësimit pa pëlqimin e prindërve në Itali të vogëlushes Megi Kola. Gjyshja e saj, Bukurie Hoxha, ka marrë këto ditë një vërtetim nga Prokuroria e Durrësit, lidhur me vendimin e birësimit të vogëlushes Megi, dhe nëpërmjet NEWS 24 ka kërkuar të dijë se cilat janë rrugët ligjore që i duhet të ndjekë për ta kërkuar mbesën e saj. Bëhet fjalë për një vendim të lëshuar nga autoritet italiane, që autorizonin Prokurorinë e Durrësit që të lajmëronte familjen e Megit për vendimin e birësimit. Dokumenti ka fjetur në sirtarët e Prokurorisë për 4 vjet dhe denoncimi i bërë në Jetë në Kërkim i ka zgjuar përfaqësuesit e Prokurorisë. Në bazë të këtij dokumenti, familjes së Megit i mbesin 30 ditë kohë për të apeluar vendim, i cili e merr fuqinë nga data e dorëzimit të tij familjarëve. Apeli i familjes së Megi Kolës, është që tashmë që ditën kanë filluar numërimin së prapthi, të dinë se në cilët institucione duhet ta apelojnë atë. Në fakt, një dokument i tillë i kishte ardhur familjes në vitin 2003 nga Ambasada Italiane, por askush nuk e kishte udhëzuar për veprimet e apelimit.
12 shtator 2006
Një studio ligjore në Itali, merr përsipër të kryejë gratis investigimin për procedurat e dyshimta të birësimit
E ëma: Vetëm zëri i Megit më kthen paqen në shpirt
Gjyshja vë në shitje shtëpinë, për lekët e kërkuara nën dorëHistoria e dhimbshme e zhdukjes në moshën 2-vjeçare të vogëlushes Megi Kola, e cila deklarohet si e birësuar në Itali, e prezantuar në “Jetë në Kërkim”, ka sensibilizuar një komunitet të gjerë të emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme. Një studio avokatore në Itali ka kontaktuar me redaksinë, teksa prezantohej precedenti Megi Kola, se merrte përsipër kryerjen pa pagesë për të gjitha përpjekjet ligjore për denoncimin e veprimeve të dyshimta të adoptimit, deri në kthimin e mundshëm të vogëlushes në familjen e saj në Shijak. Megi, ishte ende foshnjë kur u nis me skaf nga Vlora, në drejtim të Italisë. Dhe vetëm 18-muajshe, kur për shkak të gjendjes shëndetësore të së ëmës, u nis me dajën Festim Hoxha, për t’u rikthyer në Shqipëri, por që nuk mundi të mbërrinte kurrë. Peripecitë e udhëtimit të vështirë sollën ndarjen e saj nga daja, në një qendër rehabilitimi në Ankona dhe prej asaj kohe, askush nuk di të thotë se çfarë është bërë me të.
Solidariteti
Të prekur nga rrëfimi drejtpërsëdrejti në “Jetë në Kërkim”, i nënës Nurie Hoxha dhe gjyshes së vogëlushes, Bukurie Hoxha, me dhjetëra emigrantë kanë telefonuar në numrat e redaksisë, duke shprehur përkrahjen e tyre për ”luftën” e familjes Hoxha, për gjetjen dhe kthimin në krahët e së ëmës të vogëlushes që sot është 10 vjeçe. Emigrantët janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë sado pak në mënyrë vullnetare, për t’u interesuar në Itali, për vendndodhjen aktuale të Megit.
Mes lotësh, gjyshja dhe e ëma, kanë rrëfyer historinë e dhimbshme të largimit të Megit dhe përpjekjet e tyre të dëshpëruara përballë burokracisë së institucioneve përgjegjëse në Shqipëri dhe në Itali.
E ëma
“Vetëm ta di që e kam gjallë, dhe t’i dëgjoj zërin, më mjafton për të vënë shpirtin në paqe”; ishin këto fjalët e nënës 32-vjeçare, së cilës ia larguan fëmijën nga prehri, teksa ndodhej e shtruar për t’u operuar në Novi-Ligure të Italisë. Kishte tentuar të bënte gjithçka që Megi të kishte një jetë më të mirë. Madje, duke sfiduar tri herë me gomone dallgët e detit, për në drejtim të Italisë. Fatkeqësia e solli të sëmurej dhe të mos mundte të kujdesej për vogëlushen e saj, duke pranuar që ta kthente tek gjyshja në Shqipëri.
Bukuria, gjyshja e Megit, nuk ka hezituar të akuzojë drejtpërsëdrejti për procedurat e dyshimta të birësimit, Zyrën e Shërbimit Social Ndërkombëtar në Shqipëri. Gjyshja është dhe njeriu që ka këmbëngulur më shumë për të rikthyer Megin në Shqipëri. Ajo shprehet se po t’i kishte në momentin e duhur 3 mijë dollarët e kërkuar në dorë, do t’ia kishte dalë ta kthente mbesën. Prej vitit 2000, ka vënë në shitje shtëpinë, për të siguruar lekët e nevojshme që i duhen për të pasur sërish në krahë Megin.
Kush është
Megi Kola? Është e vitlindjes 1998, nga Shijaku, në Durrës. Zhduket, ende pa mbushur 2 vjeçe; në gushtin e vitit 1996, u nis me dajën për t’u kthyer me këtë të fundit nga Italia në Shqipëri. Vajza është adoptuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e prindërve në Itali.
Deklarata
“Trajtimi i rastit të Megi Kolës, nisi në vitin ‘99, kur Gjykata e të Miturve në Ankona (GJMA),na u drejtua për të gjetur prindërit biologjikë të fëmijës”. Sipas Lida Leskajt, drejtoreshë e Zyrës së Shërbimit Social Ndërkombëtar, i ati nuk ishte shumë i interesuar për të, pas ndarjes nga nëna e Megit. Të ëmës, Nuries, GJMA-ja ia hoqi të drejtën mbi fëmijën. Vlerësimi që ne bëmë për gjyshërit e Megit, nuk u mor parasysh nga shteti italian, i cili vendosi nëpërmjet GJMA-së, ta shpallë në gjendje të birësueshme Megin. Pra, ende nuk dimë nëse është adoptuar apo jo.
14 shtator 2006
Pas denoncimit në NEWS24, adoptimi i jashtëligjshëm i Megi Kolës prezantohet në emisionin “Primo Piano” në RAI 3“Jetë në kërkim” rihap procedurat e birësimit në Itali Gjyqtarja e të mituve Kovolla kërkon leje qëndrimi për të ëmën e vogëlushes. Pas denoncimit që i kreu emisioni “Jetë në Kërkim”, në NEWS 24 birësimit në mënyrë të jashtligjshme në Itali të vogëlushes shqiptare Megi Kola, që sot është 10 vjeç, drejtësia italiane pritet të rihapë proçedurat e birësimit të saj. Jehona që i bëri emisioni i drejtuar nga gazetaria Mirjeta Ngjela, vuri në lëvizje institucionet shtetërore të vendit fqinj, dhe për herë të parë pas 8 vitesh, familjes së saj në Shijak të Durrësit, i vjen një përgjigje shpresëdhënëse. Gjykatësja italiane për të mitur Melita Kovolla, ka deklaruar për televizionin publik italian RAI 3, se familja e Megit ka të drejtë të rihapë çështjen gjyqësore që u hoqi atyre kujdestarinë dhe vendosi vogëlushen në gjëndje birësimi. Gjykatësja e njohur për trajtimin e rasteve për të mitur, u shpreh se e ëma e Megit, gëzon të drejtën për t’u pajisur me lejeqëndrimi në shtetin italian dhe të ndjekë nga afër procesin për rifitimin e kujdestarisë dhe kthimin e mundshëm të së bijës.
Në fakt, skandali i birësimit me mënyra të dyshimta në Itali të vogëlushes shqiptare Megi Kola, i denoncuar në emisionin “Jetë në Kërkim”, në NEWS 24, u kthye në lajmet kryesore për mediat italiane. Vetëm dy ditë pasi Nurie Hoxha, e ëma e vogëlushes denoncoi tek “Jetë në Kërkim”, televizioni publik italian RAI3, i kushton një rëndësi të veçantë në emisionin e tij “Primo Piano”. Mbrëmjen e së mërkurës, emisioni drejtuar nga Maurizio Manoni ka trajtuar çështjen e birësimit të vogëlushes që tashmë është 10-vjecare. Në “Primo Piano” së bashku me gazetarin Manoni ishte dhe gjykatësja italiane për të mitur, Melita Kovolla, e cila pasi ka dëgjuar historinë e Megit dhe nënës së saj, Nurie Hoxha bëri deklaratën që riktheu shpresën. Është konsideruar si një e drejtë e Nuries, nënës së Megit të ketë leje qëndrimi në vendin fqinj. Prania e saj në Itali, gjë të cilën e kishte provuar 8 vjet me parë me gomone por pa sukses, do t’i mundësonte Nurie Hoxhës të kërkonte për të gjetur vajzën e saj që i mungon po prej prej 8 vitesh. Gjykatësja Kovolla ka shpjeguar se për birësimin e Megit janë ndjekur dhe respektuar ligjet italiane, por prania e nënës së saj në Itali do hapte një faqe tjetër drejt bashkimit me Megin.
Zhdukja
Historia e dhimbshme e familjes nisi në vitin 1996, kur Nurie Hoxha u nis me gomone drejt italisë, së bashku me foshnjën e saj. Megi ishte vetëm 18 muajshe, kur e ëma e shtruar në spital u detyrua ta largonte nga prehëri i saj duke ia besuar të vëllait Festim Hoxha, për ta kthyer nga Italia për në Shqipëri. Peripecitë bëjnë që vogëlushja dhe dajo i saj atëherë 15 vjeç, të përfundonin në një qëndër për fëmijët në Ankona të Itali, ku ndodhi edhe ndaria e tyre. Nurie Hoxha kthehet në Shqipëri dhe i drejtohet Ambasadës italiane për të kthyer vajzën e saj, por autoritet e fqinjit perëndimor i heqin të drejtën e kujdestarisë, dhe lejonë birësimin e Megit nga familje italiane. E ëma e vogëlushes njoftohet pas 3 vitesh, për birësimin e vajzës së saj. Në fakt, ishte kjo koha kur fillonte t’i llogaritej koha e apelimit të vendimit, por askush nuk ia bëri të ditur këtë familjes së Megit. Në një kohë që veprimet ligjore për birësim mund të quheshin të konsumuara edhe në këtë mënyrë për gjykatën e të miturve të Ankonës, “Jetë në Kërkim”, denoncoi precedentin duke detyruar autoritet italiane t’i riktheheshin edhe një herë çështjes.
19 shtator 2006
“Megi , e lumtur në familjen e re”
Pas denoncimit në “Jetë në kërkim”, autoritetet italiane zbulojnë fatin e fëmijës së birësuar
Gjykatësja italiane: Nuk mund të kthehet më tek e ëma
Tashmë është shtetase italaine, dhe mbase nuk e di fare që është shqiptare. Peripecitë e atij udhëtimi me gomone drejt italisë kur ishte ende foshnje dhe ngrohtësia e të ëmës duket një kujtim i harruar për vogëlushen Megi Kola. Jeton prej 8 vitesh në një familje italiane, dhe mbase nuk do e mësojë kurrë për “luftën” që e ëma dhe gjyshërit e saj janë dashur të bëjnë për t’u lidhur me të. Një javë pas denoncimit të birësimit me veprime të dyshimta të një vogëlusheje shqiptare në Itali, kryetaria e gjykatës së të miturve të Ankonës, Luisanna Del Conte, ka mbrojtur vendimin e marrë nga kjo gjykatë, për heqjen e kujdestarisë prindërve shqiptarë dhe birësimin në një familje italiane. Ishin prindërit e vajzës, të cilët në emisonin “Jetë në Kërkim”, në NEWS 24, treguan historinë e dhimbshme të zhdukjes së vogëlushes Megi, kur ishte 18 muajshe dhe të gjitha veprimet e autoriteve shqiptare dhe italiane, për të fshehur vendodhjen e vogëlushes dhe për ta birësuar në një familje italiane kundër dëshirës së tyre. Publikimi i “zhdukjes” misterioze të vogëlushes, në emisionin e javës së kaluar të gazetares Mirjeta Ngjela, bëri jehonë në institucionet dhe mediat italiane. Televizioni RAI 3, i kushtoi një vëmendje të veçantë në emisionin Primo Piano, të mërkurën. Ndërkohë, pati reagime të ndryshme edhe nga institucionet. Gjyqtaria e njohur e çështjeve të të miturve, Merita Kovolla, gjatë emisionit “Primo Piano”, solli një dritare shprese për familjen e Megit, duke e quajtur të drejtë të së ëmës Nurie Bega, për të kërkuar rihapjen e procesit të birësimit, madje kërkoi që ajo të pajisej me leje qëndrimi në Itali për ta ndjekur këtë proces.
Gazeta publikon të plotë intervistën eskluzive në NEWS 24 të gjyqtares Del Conte, e cila pranon për herë të parë se vogëlushja gëzon shëndet të plotë dhe se prej 8 vitesh jeton e birësuar në një familje shqiptare.
(Intervista e plote e kryetares se Gjykates se te miturve Luisanna del Conte)
Familja po kërkon të dijë vetëm nëse fëmija është e gjallë apo jo..?
-Fëmija është gjallë, është mirë me shëndet dhe jeton në një familje
Pra fëmija është adoptuar?
-Po
A mund të konsiderohet kjo, një procedurë e mbyllur?
-Natyrisht. Çështja qëndron kështu. Të jëmës I është nisur njoftimi rreth një vit më parë. Kishte 30 ditë kohë për t’a kundërshtuar. Sa për gjyshërit, jemi ende duke kërkuar për ta, pasi nuk gjendeshin për shkak të vështrësive të ndryshme. Por realisht ata nuk kanë asnjë lidhje afektive domethënëse me këtë vajzë. Dhe meqënëse ligji italian thotë se “i drejtohet gjyshërve vetëm kur para braktisjes fëmija minoren kishte lidhur një raport afektiv domethënës, gjë e cila në këtë rast nuk ka ndodhur.
Po tani që fëmija është adoptuar familja a mund të ketë lajme rreth saj, mund të dijë dicka apo jo?
-Jo. Nuk mund të dijë ku është dhe me kë është. Dhe nuk mund të dijë mbiemrin e saj. Sepse ndërpriten lidhjet me familjen e origjinës. Unë mund t’ju siguroj duke ju dhënë fjalën time, se fëmija është shumë mirë, në një familje. Tashmë flet italisht
Pra ajo shkon në shkollë rregullisht?
-Po po gjithshka normalisht
Ju vazhdoni ta ndiqni?
-Në tre vite e para po, kurse tani jo më. Por po të kishte patur ndonjë gjë të jashtëzakonshme do ta kishim marrë vesh
A mund të dihet nëse ka vëllezër apo motra, pra nëse jeton në një familje e cila ka dhe fëmijë të tjerë?
-Këtë nuk di t’ua them. Nuk më kujtohet
Pra fëmija është mirë dhe ka një mbiemër të ri?
-Natyrisht. Ka marrë mbiemrin e familjes që e ka adoptuar
Ka ndryshuar edhe emrin?
-Përgjithësisht nuk ndodh
Ndoshta quhet ende Megi po ka ndryshuar vetëm mbiemrin?
-Natyrisht
Tani sipas jush familja a ka mundësi t’i drejtohet gjykatës për të patur ndoshta informacione?
-Le të vihemi në anën e fëmijës. Kjo vajzë tashmë ka një baba dhe një nënë, që prej 8 vjetësh. A mund t’i shfaqim asaj një tjetër nënë, një tjetër gjysh, një tjetër xhaxha apo dajë
Po fëmija e di që është me origjinë shqiptare?Me siguri e di që është e adoptuar. Sepse ne në përgatitjet që u bëjëm cifteve që kërkojnë adoptim është që t’ia thonë fëmijës se është e adoptuar.
Por mund të mos e dijë që është shqiptare?
-Mund edhe ta dijë…
Shkruar nga Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com