Identikiti i përcaktuar në laburatorët e FBI-së
Viktima është femër e moshës 18 – 25 vjece,
Me origjinë europiane.
Të dhënat e tjera përfshijnë;
Mungesa e një dhëmbi prerës në anën e djathtë të pjesës së sipërme,
Buzë të holla,
Mjekër të zgjatur,
Hundë me konture të rregullta, dhe
Nga një vrimë të vogël në sejcilin vesh.
Flokët e viktimës kishin një ngjyrë si të kuqerremtë, por flokët origjinale kanë qënë në ngjyrë kafe ose kafe të errët.
ZHVILLIMI I FUNDIT
(26.02.2007)
Identikiti i ri, më pranë të dhënave të emisionit
FBI provon dyshimet e Jetë në Kërkim
Serial Killeri, një mënyrë për të arritur te viktima
Kërkimet e emisionit Jetë në Kërkim në NEWS 24, për gjetjen e identitetit të kufomës së gjetur të masakruar në tetor të vitit të kaluar, e kanë kthyer në një partner por edhe rival të policisë në hetimin e çështjes. Sikurse ishte deklaruar edhe në emision, identikiti i policisë rezultoi se ishte goxha larg pamjes së vërtetë të viktimës. Policia publikoi identikitin e ri, të prodhuar nga laboratorët e NATO-s, në Washington dhe të mundësuar prej zyrë së FBI-së në ambasadën amerikane në Tiranë. E vetmja indicio për idnetitetin e viktimës janë informacionet se ajo është nga zonat e Shkodrës. Prindërit janë divorcuar dhe vajza ka bërë një jetë endacake. Mentaliteti i familjarëve të saj ka bërë që askush nga të afërmit të mos interesohet më për të, ndaj ata nuk janë paraqitur asnjëherë në polici apo në ndonjë institucion tjetër për të kërkuar vajzën e humbur.
Në emisionin e djeshëm, Jetë në Kërkim publikoi veç identikitit të ri, edhe pamjet e të arrestuarit nga FBI, si serial killer, i cili është edhe i dyshuari kryesor për ekzekutimin makabër. Qëllimi i këtij publikimi ishte zbulimi i të gjithë aktivitetit në Shqipëri të Smajo Djurlriç, apo Smajl Tulja. Një mënyrë e tërthortë kjo për të zbuluar ambientet që frekuentoheshin nga serial killeri, me shpresë gjetjen e ndonjë indicio që mund të çojë gazetarët në identifikimin e kufomës.
(22.02.2007)
Vrasësi i grave lidhje me Zall Herrin
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Hetimet për vrasjen makabre të Zall Herrit, zbuluan serialkillerin malazez me kombësi shqiptare, Smajl Tulja, 67 vjeç. Profili psikologjik i vrasësit dhe studimi i mekanizmit të kryerjes së krimit pranë liqenit në Zall Herr, i ka çuar hetuesit e FBI-së në gjurmët e Tuljas. Vrasjet e kryera për pasion dhe masakrimi i kufomave, është elementi që lidh Tulja me ekzekutimet e 6 femrave. Sipas burimeve të rezervuara, ai akuzohet për vrasjen e dy -ish grave të tij, njërën në Amerikë dhe tjetrën në Evropë. Veç dyshimeve për autorësinë e masakrimit të 20-vjeçares ende të paidentifikuar në 22 tetor të vitit të kaluar, ai dyshohet edhe për tri vrasje të tjera të ngjashme në Shqipëri. Burimet policore nuk saktësuan se për cilat ngjarje dyshohet Tulja, apo në çfarë periudhe kohore kanë ndodhur ato, duke i komentuar si pjesë e procesit delikat të hetimit për këtë serialkiller. Disa javë më parë në Malin e Zi, shkuan një grup oficerësh të njohur të policisë kriminale të Tiranës, të cilët janë duke hetuar për vrasjen e Zall Herrit. Këtu e kanë pikënisjen të gjitha veprimet e tjera mbikëqyrëse të policisë malazeze, të konkluduara tri ditë më parë në vendndodhjen e Tuljas, në Maslin të Podgoricës. Në fakt, 67-vjeçari pritet të ekstradohet në Amerikë, aty ku i është dokumentuar edhe vrasja e bashkëshortes së parë. Ndërkohë që vrasja e dytë për të cilën dyshohet është bashkëshortja e tij e radhës në Belgjikë.
Kush eshte?
Hetuesit amerikan i kanë dokumentuar Tuljas vrasjen në një qytet të USA , me thikë të një femre në vitin 1990, me të cilën ai bashkëjetonte pa vënë kurorë. Kurse disa vite më pas ekzekutohet në Belgjikë në të njëjtat rrethana një tjetër femër me të cilën Tulja kishte lidhje. Tulja në vitet e para '90 dyshohet se është vendosur në Shqipëri, ku dyshohet se ka kryer edhe 3 vrasje të tjera femrash. Kurse prej vitit 1995, ai është vendosur në Podgoricë, ku sipas burimeve jeton vetëm, ndonëse mban atësinë e disa fëmijëve që jetojnë në USA dhe BE.
Arrestimi
Policia malazeze, vetëm sa ka ekzekutuar operacionin e oficerëve të FBI dhe INTERPOL, për arrestimin e Tuljas. Është plot 67 vjeç, me vendlindjen në Plavë, por pavarësisht moshës së madhe, sipas policisë, ai zotëron fizik të bëshëm. Në fakt, oficerët e FBI-së bashkëpunuan me grupin e hetimit të policisë së Tiranës, për lidhjet e mundshme të krimeve për të cilat akuzohet Tulja me ekzekutimin dhe më pas masakrimin e kufomës së gjetur në ujërat e liqenit të Zall Herrit. Madje një muaj më parë një grup hetuesish shqiptar kryen takime me policinë në Malin e Zi, ku mbahej në survejim Tulja.
Hetimi
Smajl Tulja, nuk rezulton të ketë hyrë me emrin tij në territorin shqiptar, të paktën në dy vitet e fundit. Ky fakt, konfirmohet nga policia kufitare, ndërsa ka dyshime se Tulja mund të ketë përdorur ndonjë emër të rremë për të kaluar në territorin shqiptar. Në banesën e tij janë gjetur disa dokumente, të cilat dyshohet të jenë përdorur nga Tulja për lëvizjet e tij në vende të tjera. Policia ka marrë edhe kampione ADN-je, për t'i krahasuar me ato pak prova biologjike të gjetura në trupin e të masakruarës së Zall Herrit, dhe provave biologjike të grumbulluara në vrasjet e mëparshme. Identifikimi i kufomës konsiderohet si një pikë kyçe për gjetjen e lidhjeve të saj me autorin. Zbardhja e këtyre lidhjeve mund të provojë interesin e Tuljas ndaj viktimës. Ndonëse i kanë gjetur një përkthyes për ta marrë në pyetje, vetë Tulja nuk ka pranuar autorësinë për asnjë prej krimeve për të cilat ai akuzohet. Gjithsesi, kjo nuk i ka penguar hetuesit e Zyrës për Krimet Delikate të Podgoricës, që ta siguronin në qelitë për akuzat e vrasjes së seri.
(27.11.2006)
Informacione rreth një shkodraneje, që prostituonte në Zall Herr dhe Laç. Njoftime dhe nga pronari i një hoteli
Telefonata, vajza e Zall Herrit nga Shkodra
Jetë në kërkim në gjurmët e identifikimit të viktimës
Nga: Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
-Jam një vajzë nga Laçi, do të doja të lija një informacion për vajzën që është gjetur e mbytur në liqen, në Tiranë. Mendoj se është nga Shkodra. Nga shenjat dhe të dhënat që janë dhënë, mendoj se ajo është nga Shkodra. Për informacion më të gjatë mund të interesoheni në lokalet në autostradën Laç-Mamurras, sepse vinte shpesh në motelet e kësaj pjese të rrugës, dhe më qartë në lokalin e ….
Ky ka qenë teksti i plotë i regjistruar në sekretarinë telefonike të emisionit Jetë në Kërkim në NEWS 24, i bërë publik në emisionin e 14-të të së hënës. Telefonuesja ka qenë e saktë në dhënien e informacioneve, ndërsa për arsye të hetimit, nuk kemi publikuar emrin e lokalit ku vajza mendohet se ka qëndruar. Jetë në Kërkim, duket se ka siguruar një informacion mjaft të vlefshëm për zbardhjen e vrasjes më makabre të ndodhur ndonjëherë dhe njëkohësisht më misterioze. Për hetimin e të cilës janë duke u bashkuar edhe ekspertë të FBI-së, të ardhur nga Amerika enkas për këtë çështje, ndërsa Ministria e Brendshme ka vendosur 50 mijë euro shpërblim për informacione rreth saj. Bëhet fjalë për kufomën e një vajze që mendohet të jetë rreth 20 vjeç, e cila pasditen e 22 tetorit u gjet e masakruar në liqenin e Zall Herrit, në periferi të kryeqytetit.
Konfirmimi
Emisioni i së hënës në NEWS 24, ka sjellë një tjetër surprizë për hetimin e rastit. Një person ka telefonuar, duke kërkuar t'i ruhej anonimati. Ai është prezantuar si pronar i njërit prej moteleve të segmentit Laç-Mamurras, dhe ka pretenduar se e njihte vajzën, për të cilën ishte dhënë informacioni i regjistruar në sekretarinë telefonike. Ajo i përngjante mjaft identikitit të bërë nga policia dhe se nuk e kishte parë më, qysh disa kohë para se të gjendej kufoma e masakruar. Telefonata, mësohet se nuk u bë publike gjatë emisionit të gazetares Mirjeta Ngjela, për të ruajtur investigimin e vrasjes. Por ka bërë që pistat e hetimit për identifikimin e viktimës, të drejtoheshin në zonën e Shkodrës.
Policia
Vajza shkodrane, e cila ka prostituuar në zonën rrotull liqenit të Zall Herrit, mësohet se është një nga pistat kryesore të hetimit për zbardhjen e ngjarjes nga policia. Burime pranë grupit special të hetimit të këtij rasti, e kanë konfirmuar këtë fakt, duke pranuar se hetimi në këtë pistë konsiderohet mjaft i vështirë. Kjo për faktin, se vajza e dyshuar mendohet se nuk është denoncuar nga familja si e zhdukur. Ndërsa nga verifikimi i të gjitha vajzave të denoncuara të zhdukura nga familjet shkodrane, asnjëra prej këtyre nuk korrespondon me viktimën. Ekipi i hetuesve për zbardhjen e vrasjes, realizoi tri javë më parë shoqërimin e disa vajzave banuese në zonën rreth liqenit. Motivi i shoqërimit ishte të zbuloheshin identitetet e vajzave që prostituonin në këtë zonë dhe nëse ndonjëra prej tyre rezultonte e zhdukur apo kishte karakteristika të përafërta me viktimën. Në fakt, në një prononcim për mediat, zëvendësministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja, do të shprehej se nga informacionet që dispononte grupi i hetimit, viktima e Zall Herrit, mendohej se ishte viktimë e ndonjë organizate kriminale në trafikun dhe shfrytëzimin e prostitucionit.
Amerikanët
Prej gati një jave, kufoma e Zall Herrit është dërguar në një nga laboratorët më të sofistikuar të mjekësisë ligjore në Uashington të SHBA-së, ku do t'i nënshtrohet një ekspertize të specializuar. Dërgimi u kërkua dhe u mundësua nga tre investiguesit e FBI-së, të cilët mbërritën në Tiranë dy javë më parë, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, për të dhënë ndihmën e tyre në këtë rast të vështirë. Viktima nuk paraqet asnjë shenjë identifikuese, ndërsa krimi është kryer në një mënyrë tmerrësisht të dhunshme, të padëgjuar më parë. Hetuesit amerikanë po studiojnë mënyrën e realizimit të krimit, duke ngritur edhe mekanizmin e vrasjes. Duke u bazuar në këto të dhëna, ata pritet të ngrenë edhe një profil të mundshëm të vrasësit.
(21.11.2006)
Shpresohet në identifikimin e viktimës e autorit
Kufoma e Zall Herrit mbërrin në Uashington për ekzaminim
Nga:Gazmend Janku
g.janku@gazetashqiptare.com
Trupi i pajetë dhe i copëtuar i vajzës së gjetur në liqenin e Zall-Herrit, ka mbërritur në një laboratori të mjekësisë ligjore në Uashington në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të ekzaminohet nga ekspertë të FBI-së. Ky vendim u mor, pasi me mjetet që ka në dispozicion laboratori i mjekëisëligjore shqiptare, identifikimi i saj ishte i pamundur dhe aq më pak identifikimi i autorit të këtij krimi të pazakontë. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës u shprehën dje për Gazetën, se ekspertët e huaj kanë marrë përsipër të mundësojnë identifikimin e kufomës deri në masën 90 për qind. Gjithashtu ato kanë marrë përsipër të krijojnë profilizimin e autorit të kësaj masakre. Kështu duke i nisur nga kufoma dhe dëmtimet e saj pritet të përcaktohen disa të dhëna për autorin e mundshëm si, mosha, arsimimi, profesioni si dhe gjendja psikologjike në momentin që ka kryer krimin. Gjithashtu dyshohet se vajza e masakruar mund të ketë qenë shtatzënë si pasojë e përdhunimit. Ekspertët e huaj do të verifikojnë edhe këtë dyshim, i cili nëse rezulton i vërtetë atëherë ekspertët do të kenë edhe ADN-në e autorit, e cila duke u krahasuar edhe me të dhënat e profilzimit mund të identifikojnë autorin e vërtetë të ngjarjes. Burimet e lartëpërmendura nuk janë shprehur për afate, por gjithsesi ekspertët e huaj kanë premtuar që ekzaminimet e kufomës ti kryejnë në një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur, pasi autori ose autorët e kësaj masakre vazhdojnë të jenë të lirë, duke paraqitur një rrezikshmëri të lartë shoqërore.
(16.11.2006)
Kërkohet t'i kryhet ekspertizë e re në laboratorët e specializuar të NATO-s. Pritet përgjigja
FBI kërkon riekpertimin e viktimës së Zall Herrit
Tre investigues amerikanë në ndihmë të hetuesve shqiptarë
Nga: Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Kufoma e Zall Herrit, kërkohet prej amerikanëve për t'u riekspertuar në laboratorët më të sofistikuar të mjekësisë ligjore në një bazë të NATO-s. Ka qenë kjo kërkesa e e hetuesve të FBI-së, të ardhur tre ditë më parë në Tiranë, enkas për këtë çështje. Tre hetuesit e FBI-së, I janë përgjigjur ftesës së autoriteve shqiptare për invesigimin e rastit me anë të teknologjive të sofistikuara të hetimit. Viktima e Zall Herrit, u gjet në liqenin e fshatit me të njëjtin emër nga një 13-vjeçar, në 22 tetor. Ishte rasti I parë që policia u ndesh me një krim të tillë. Viktima që mendohet të jetë një vajzë rreth moshës 17-20 vjeçe, ishte vrarë me një thikë ose kaçavidhë pas shpine. Ishte qëlluar me sëpatë nga pas kokës dhe trupi ishte prerë me sharrë në këtërsh. Vrasësi I kishte prerë me thikë buzët, organin gjenetal dhe kishte dëmtuar pjesë të trupit që mund të ndihmonin në identifikimin e saj.
Amerikanët
Hetuesit amerikanë nuk kanë humbur kohë, por rreth orës 20.30 të mbrëmjes së martës kanë shkuar në morgun e Tiranës për të parë kufomën dhe ndoshta për të kryer një riekzaminim të saj. Ata janë kthyer sërish paraditen e djeshme, ku kanë qëndruar për gati 4 orë duke këqyrur kufomën apo duke u konsultuar me ekspertët shqiptarë. Burime pranë Institutit të mjekësisë Ligjore janë shprehur për Gazetën se qëllimi I këtyre veprimeve është ndërtimi I mekanizmit të vrasjes si dhe skemën e krimit që nga fillimi deri në fund. Hetimi tashmë ka kapur përmasa ndërkombëtare dhe investiguesit amerikanë do të përpiqen për të gjetur raste të tjera të ngjashme që kanë ndodhur dhe në Amerikë dhe vënde të tjera. Nga të dhënat paraprake, krimi është I ngjashëm me disa të tjera të ndodhura edhe në Amerikë. Hetuesit pretendojnë të ngrenë edhe një profil të autorit dhe mënyrën sesi ka vdekur vajza. Amerikanët e FBI-së janë shoqëruar nga drejtori I Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, dy ekspertët Arben Lloja dhe Fatos Harito, si dhe ekspertë të tjerë të cilët kanë shprehur mendimet e tyre rreth mekanizmit të vrasjes. Ndërkaq është përgatitur kërkesa drejtuar autoriteve shqiptare për të kryer transferimin e viktimës për në klinikën e specializuar të mjekësisë ligjore në bazën e NATO-s.
Hetimi
Nuk ka sjellë asgjë të re, as analiza e djeshme e grupit të hetimit të Drejtorisë dhe Prokurorisë së Tiranës, lidhur me identitetin e viktimës së Zall Herrit, pistat e hetimit dhe identifikimi apo kapja e autorit. Ekspertiza e gjurmëve të gishtërinjve është konsideruar e pamundur për shkak se lekura e ndjeshme e gishtave ishte dëmtuar si pasojë e dekompozimit në ujë. Vajza u dyshua se mund të ishte viktimë e trafikut të prostitucionit. Por kanë dështuar të gjitha përpjekjet për identifikimin e saj duke e kërkuar te vajzat e larguara nga shtëpia dhe që mbahen nga organizat kriminale për prostitucion apo aktivitete të tjera kriminale. Edhe publikimi I identikitit nuk ka asjellë ndonjë të re në hetrim, pasi asnjë nga prindërit e paraqitur në morg për të parë kufomën nuk ka pranuar të jetë e bija.
(24.10.2006)
U gjet e masakruar në liqenin e zallherrit
Në morg dhe në komisariate dynden 34 familje, nuk është vajza e tyre
Telefonata për vrasësin për të fituar 50 mijë eurot e policisë
Mungon identikiti, policia shpërndan foto horror
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Mbërrijnë telefonat e para në numrat e policisë të vënë n dispocion për shpërblimin e personit që do të japë informacionin e saktë për vrasësin e 20-vjeçares të gjetur të masakruar në liqenin e Zall Herrit në Tiranë. Informacionet kanë qenë të natyrës përgjithsuese dhe dyshime për persona të mundshëm që mund të kryejnë një ngjarje të tillë. Ndonëse nuk kanë sjellë zhvillime të reja hetimin e krimit makabër, policia e ka konsideruar pozitive faktin e sensibilizimit të qytetarëve të indijuar nga ngjarja e rëndë. Por askush prej këtyre telefonuesve nuk ka patur fatin e bërjes milioner, duke fituar shpërblimin prej 50 mijë euro të vendosura nga policia për spiunin që do i çojë te autori. Policia ka siguruar për ruajtjen e sekretit të identitetit të telefonuesit, madje për të shtuar këtë siguri veç numrave të sallave operative vendosi edhe numrin e telefonit të zyrës së Drejtoritë të Policisë së Tiranës Muhamet Rrumbullaku, 042 34876. Në fakt, kryekomisari Rrumbullaku kryeson ekipin e hetimit për zbardhjen e misterit të kësaj vrasjeje.
Identifikimi
Dallohen fare lehtë, nga mënyra sesi afrohen në derën e morgut, dhe të gjithë mbajnë fort në duar fotografitë e vajzave të tyre. Të trembur dhe gjithë ankth pyesin policin e rojes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, në Morgun e Tiranës, se ku mund të drejthen për të verifikuar kufomën. Janë të paktën 34 familje të interesuara në Morgun dhe Komisariatet e Policisë së Tiranës gjatë dy ditëve, nëse kufoma e gjetur ishte vajza e tyre. Punonjësit e morgut janë përballur me ankthin e këtyre familjarëve teksa pyesnin për karakteristikat e kufomës deri në momentin e lutjeve që kufoma, e cila ndodhet në frigoriferët e morgut të mos jetë vajza e tyre teksa i tregoheshin fotot. Momente që zgjatin vetëm disa sekonda por që këta prindër nuk kanë për t'i harruar kurrë. Dhe vetëm pak minutash pasi kanë dalë nga ai mankth me lehtësimin se ajo kufomë nuk ishte e vajzës së tyre, i kap një tjetër ankth, ai i fatit të asaj familje që do e identifikoj si vajzën e saj.
Punonjësit e morgut, shprehen se është tmerrësisht e pamundur ballafiqimi i familjarëve me pjesët e trupit të kufomës të gjetura të prera katërsh. Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë qenë më shumë se 10 të tillë. Shumica prindër, të cilët interesoheshin për vajzat e tyre të zhdukura në kohë të ndryshme. Prindërit nuk janë vetëm banorë të Tiranës, por edhe të ardhur nga rrethe të ndryshme.
Identikiti
Në fakt, mungesa e publikimit nga policia të një identikiti me të dhënat e plota të kufomës së gjetur ka bërë që në dyert e morgut të dynden persona të ndryshëm, ndonëse vajzat për të cilat interesohn janë të moshave të ndryshme dhe nuk kanë të njëjtat karakteristika me viktimën. Burime pranë grupit të hetimit kanë pranuar se një identikit i tillë pritet të vizatohet sot nga ekspertë të kriminalistikës dhe mjekësisë ligjore. Nuk dihet pse është i vonuar një veprim i tillë, katër ditë pas gjetjes së kufomës, apo është vetëm një zvarritje për shkak të pushimeve të fundjavës apo për Festën e Bajramit të Madh. Gjithsesi policia ka shpërndarë foton e kokës së prerë të 20-vjeçares së masakruar. Një foto, që i ngjason më shumë një pamjeve të filmave horror dhe disi e vështirë për inspektorët e policisë për ta nxjerrë në publik dhe pyetur se kush mud ta njohë apo të ketë informacione për viktimën.
Shtohen misteret për kufomën e Zall-Herrit. Ekspertët rindërtojnë skenën e krimit mbi 20 vjeçaren
Vrasësi i vajzës, një maniak seksi
Viktima e copëtuar me sharrë, i prenë gjuhën e organet
TIRANE -
Janë larguar pas dy ditë kërkimesh polumbarët; kufoma ndodhet tashmë në morgun e Tiranës, por drejtuesit e policisë kriminale të kryeqytetit, nuk kanë mbaruar ende punë. Hetuesit e çështjes kanë hedhur dyshime serioze për ekzistencën e një vrasësi maniak, ndonëse nuk e pranojnë zyrtarisht. Dhe pikërisht kjo mundësi i ka bërë ata të kënë frikë për ndonjë ‘bis' të mundshëm të krimit makabër, vrasjes së një vajze të re dhe gjymtimi i saj total mbas vdekjes. Hetuesit janë vënë në kërkim të vrasësit, por ende nuk kanë në dorë asnjë të dhënë që do t'i shpjerë tek ai, madje nuk kanë as emrin e viktimës, që do të ishte gjurma e parë nga ata do të nisnin kërkimin. Për momentin, ata mendojnë se krimi ka ndodhur në një ambient tjetër, kurse trupi është transportuar dhe hedhur në liqen, për të humbur gjurmët. Policia nuk ka gjetur rroba të viktimës veç reçipetave të saj, kurse në breg janë gjetur pjesë fashoje.
Polumbarëve të RENEA-s iu deshën dy ditë për të gjetur dhe nxjerrë të gjitha pjesët e trupit të viktimës. Ato janë gjetur në një rreze të afërt nga njëra-tjetra dhe nga pozicioni, mendohet se ajo është mbajtur në krahë, pa përdorur ndonjë mjet lundrues për të hyrë në thellësi. Por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk ishte bërë ende i mundur identifikimi i kufomës. Karakteristikat e kufomës, mësohet se nuk korrespondojnë me ndonjë të zhdukur javët e fundit, ndërsa prindërit e interesuar që kanë parë trupin e pajetë në morg, nuk e kanë njohur.
Karakteristikat
Viktima është një 20-vjeçare, flokë gështenjë me onde, trup mesatar, sytë me nuanca bojë qielli, pa asnjë shenjë dalluese, përveçse dhëmbit të sipërm pak më të errët se të tjerët, si pasojë e mbushjes. Ekspertët e mjekësisë ligjore që kanë bërë kqyrjen e trupit kanë ndërtuar dhe dinamikën e mundshme sesi ka ndodhur ngjarja; viktima, pasi është vrarë me sëpatë, është prerë në katër pjesë të veçanta me sharrë. Vrasësi apo vrasësit i kanë prerë gjuhën, buzët dhe organin gjenital. Një masakrim që për llojin e tij numërohet i dyti për krimet monstruoze, pas atij të vrasjes se studentes Kozeta Hyseni, e cila pasi ishte vrarë, ekspertet konstatuan se i ishin copëtuar pjesë të trupit, përfshi edhe organin gjenital.
Ekzekutimi
Një krim i kryer me një pasion në kufijtë e çmendurisë. Ky është mendimi i ekspertëve të Kriminalistikës për kufomën e gjetur. Vrasësi sipas tyre është një përbindësh i vërtetë, ndërsa veprimet, ngjajnë si të shkëputur nga skenari i një filmi horror. E ka qëlluar me sëpatë pas koke, goditje që edhe dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e viktimës. E ka zhveshur, pastaj me thikë i ka prerë buzët, gjuhën, organin gjenital. Por çmenduria e vrasësit nuk është ndaluar as me kaq. I ka prerë kokën, pastaj trupin, në pjesën e legenit dhe gjymtyrët. Hetuesit kanë arritur në konkluzionin se prerja është kryer me sharrë. Vrasësi nuk ka përdorur gur flesibël për këtë, pasi nuk janë vërejtur shenja të djegies së pjesëve të prera, ndërsa sëpata e përdorur për ta qëlluar pas kokës, do të linte dëmtime të një natyre tjetër. Janë të gjithë këto elementë të krimit, që ngrejnë dyshimin e tmerrshëm që vrasësi mund të jetë një maniak i vërtetë, i shtyrë edhe nga pasione të pakontrolluar seksuale. Dhe kjo gjë ka shkaktuar dhe frikën e policisë se ngjarja mund të përsëritet me tjetër viktimë, ndaj dhe fshatarët e zonës janë këshilluar të kenë kujdes në punët e tyre të përditshme.
NËSE JU KENI NDONJË INFORMACION PËRSA I PËRKET KËTIJ PERSONI, JU LUTEM KONTAKTONI DHE NE JU PREMTOJME SE DO T'JU RUAJME ANONIMATIN.