aaNga: Mirjeta Ngjela
Cdo te hene ora 21:00 LIVE ne
  GJENDET FAMILJA E SELVIES
a
 
   

 

SELVI SALLA

Gjendet familja e Selvies


   

ZHVILLIMI I FUNDIR
(15.01.2007)

Prindërit s`ia lejuan shkollën, iku nga shtëpia

Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Bashkimi me familjen pas një muaj e gjysmë zhdukjeje i 24-vjeçares Selvi Salla, ishte suksesi i radhës për emisionin Jetë në Kërkim. Një rast i ardhur papritur nga bashkëpunimi me Drejtorinë e Policisë së Tiranës, i cili u trajtuar si një rast special nga gazetarët e emisionit. Ishin të vetmit ku vajza besoi të rrëfente dramën e saj. Prej 15 orësh qëndronte në polici dhe nuk pranonte të fliste asgjë dhe veçse qante. Por falë trajtimit profesional të rastit, vajza tregoi emrin dhe familjen e saj. Kanë punuar si një ekip i përbashkët hetimi, gazetarët e Jetë në Kërkim dhe oficerët e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës, dhe brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur verifikimi i informacioneve dhe gjetja e familjarëve të saj në fshatin Lubinjë, të Gramshit të Elbasanit, si dhe u gjetën ambientet e përshtatshme për strehimin dhe trajtimin e 24-vjeçares. Një histori me të vërtetë e dhimbshme për Selvinë, nxënësen më të mirë të fshatit për 8 vitet e shkollës 8-vjeçare. Por mungesa e kushteve të familjes për t'i lejuar asaj vazhdimin e shkollës së mesme, duke përfshirë këtu edhe fanatizmin e familjes, ndikuan për keq te Selvi. Nuk mundi t'ua falte kurrë familjes së saj që nuk i dha mundësinë që të ndiqte studimet. Dje, i ati i saj, Dilaveri ka kontaktuar me autoritet për marrjen e vajzës dhe ka premtuar një trajtim të veçantë të saj në familje, për të kaluar depresionin. Ai ka falenderuar stafin e gazetares Mirjeta Ngjela, që mundësuan gjetjen e vajzës së tij dhe bashkimin me familjen.

(12.01.2007)
Selvi Salla, nga Lubinjë e Gramshit, kishte 15 orë e paidentifikuar në policinë e Tiranës

Jetë në Kërkim gjen familjen e të humburës

Vajza e traumatizuar nuk pranonte të fliste

Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
E kanë gjetur të veshur me një bluzë leshi një palë tuta sportive, ndërsa në këmbë kishte çorape leshi dhe një palë shapka shtëpie. Vajza dukej rreth të 24-ve, dhe nuk ishte në gjendje të thoshte as emrin e saj. Nuk dukej të kishte probleme mendore, por gjendja tregonte se ishte duke kaluar traumë. Pas një telefonate sinjalizuese, shërbimet e komisariatit numër 1 të policisë së Tiranës e gjetën në këtë gjendje vajzën, rreth orës 21.00 të mbrëmjes së të enjtes, pranë Urës së Peshkatarit, në dalje të Tiranës drejt Elbasanit. Nuk ka folur asnjë fjalë gjatë gjithë natës dhe paradites së ditës së djeshme. Vajza nuk kishte asnjë dokument identifikimi, duke e bërë të pamundur gjetjen e gjeneraliteteve dhe rrethanave të largimit të saj nga shtëpia. Të paktën këto ishin të dhënat e vetme, derisa gazetarët e emisionit Jetë në Kërkim, në NEWS 24, ofruan ndihmën e tyre për gjetjen e identitetit të vajzës, familjes së saj, dhe konfliktet që e kishin çuar në atë gjendje.

Identifikimi
Pas 15 orës vajza ka hapur gojën. Falë një pune të mirëfilltë psikologjike të kryer nga oficerët e policisë dhe gazetarët e Jetë në Kërkim, vajza ka shkruar në një copë letër emrin e saj. Quhej Silvi Salla dhe pranonte se ishte nga Gramshi. Kërkesa e vetme e saj ishte të strehohej në një qendër rehabilitimi, pasi ndihej e torturuar në shtëpi. Nga verifikimet e kryera në moment, rezultoi se të dhënat e vajzës ishin të sakta. Ajo quhej Silvi Dylber Salla, lindur në 14 shtator 1982, nga fshati Lubinjë i Gramshit të Elbasanit. Një grup gazetarësh të Jetë në Kërkim janë nisur në drejtim të familjes së Silvit, për të mësuar rreth largimit misterioz të saj nga banesa. Në polici nuk rezulton të jetë denoncuar nga familjarët zhdukja e 24-vjeçares, duke e shtuar misterin e kësaj ngjarjeje.

Policia
Vajza është transferuar në orët e mesditës së djeshme për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Oficerët e drejtorisë kishin hyrë në bisedime me shoqatat e rehabilitimit të grave të dhunuara dhe të trafikuara, për të siguruar strehimin e Silvit, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të largimit të saj. Policia ka nxjerrë si pistë kryesore të hetimeve të saja, konfliktet në familjen e 24-vjeçares, si shkak të depresionit që shkaktoi largimin apo dëbimin nga shtëpia.

Deklarimet
Vajza e traumatizuar nuk pranon të kthehet në shtëpi. Ajo është shprehur se familja e torturon dhe se kërkonte të qëndronte në ndonjë qendër për trajtimin e femrave të dhunuara. Policia ndërmjetëson për rehabilitimin e 24-vjeçares për ta shpëtuar nga rruga e krimit.


 


© 2006 News 24. Te gjitha te drejtat e rezervuara