ZHVILLIMI I FUNDIT
(24.04.2007)
Shefi i Antitrafikut: Tani për vajzën kujdesemi ne
Është mirë, për arsye sigurie dhe të vet dëshirës së vajzës e kemi vendosur në një qendër të fshehtë, ku trajtohet nga psikologë e punonjës socialë, ku mund të marrë edhe ndonjë profesion për të ecur vetë në jetë. Shefi i seksionit kundër trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Idajet Hoxha, në një telefonatë direkte për Mirjeta Ngjelën, ka falënderuar stafin e gazetarëve që mundësoi gjetjen dhe dorëzimin në polici të 16-vjeçares së larguar nga shtëpia, Sonila Kokaj. Nënkomisari e konsideroi zgjidhje të momentit trajtimin e vajzës në qendër, derisa ajo të zgjidhë problemet e saj me familjen, për t'u kthyer pranë prindërve.
(16.04.2007)
Jetë në Kërkim dërgon gazetarët për të verifikuar. Bashkëpunëtorët sigurojnë që është ajo.
Surpriza, lokalizohet 16-vjeçarja e zhdukur në Tiranë
Sonila kishte ikur nga shtëpia para 10 ditësh
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Jetë në Kërkim realizon surprizën e radhës në NEWS 24, mbrëmjen e djeshme. Një informacion i ardhur urgjent në emision, lokalizonte adoleshenten 16-vjeçare, Sonila Kokaj, e larguar nga shtëpia prej 10 ditësh. Vajza është mirë dhe duket se kërkimet e gazetarëve të Mirjeta Ngjelës e kanë gjetur në kohë, para se ajo të binte viktimë e ndonjë bande që shfrytëzonte femra për prostitucion, apo më keq, t'i trafikonte drejt vendeve të BE-së. Gazetarët ishin nisur menjëherë për t'u takuar me bashkëpunëtorët që siguronin se vajza e lokalizuar prej tyre ishte pikërisht Sonila. Gjithsesi, fjalën e fundit duhej ta thoshin vetëm pas ballafaqimit me të dhe sigurisht që hapësira kohore që lejonte emisioni nuk ishte e mjaftueshme për të realizuar një takim të shumëpritur mes saj dhe prindërve. Por cila ishte historia Sonila Kokajt dhe si erdhi ajo te emisioni Jetë në Kërkim?
Ishte gazetaria e studios Redaksia, Justina Ukaliaj, e cila në një ndërhyrje urgjente prezantoi rastin të hënën e kaluar. Një prind kishte denoncuar drejtpërsëdrejti në emision zhdukjen e të bijës, Sonila. Kishte një javë që ishte larguar dhe askush nuk kishte informacion për të. Ndonëse koha nuk premtonte për të marrë dhe publikuar foton dhe të dhëna të tjera personale, drejtuesja Mirjeta Ngjela vendosi publikimin e menjëhershëm të rastit. Dhe si më e rëndësishmja nga të gjitha ishte gjetja e vajzës, nuk u prit emisioni i radhës, por gjatë javës rasti i Sonilës u publikua dy ditë rresht në emisionet e lajmeve të NEWS 24. Java ishte me të vërtetë e ngarkuar për gazetarët. U verifikuan informacionet për vendndodhjen e saj nga Tirana në Sarandë, derisa u mundësua të kontaktohej me vajzën, e cila këmbëngulte se nuk donte të kthehej në shtëpi. Përveçse investigues të zotë, gazetarët e Mirjeta Ngjelës duket se e kanë treguar veten edhe si asistentë socialë të mirë, duke ndërmjetësuar me vajzën për ta bindur atë të dorëzohet. Por se çfarë ndodhi me të vërtetë pas kësaj, duket se do të jetë në prezantimin e radhës, të hënën tjetër….