ZHVILLIMI I FUNDIT
(23,07,2007)
Kërkime në lokalet shqiptare të Zvicrës
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
Bashkëpunëtorët tanë po na ndihmojnë për t'u lidhur me të gjitha lokalet ku këndohet shqip në Zyrih të Zvicrës. Informacionet e fundit për vendodhjen e Sonila Kryeziut të çojnë pikërisht në këto lokale. Ndërkohë, mbetet enigmë totale fati i 28-vjeçares tjetër, Nertila Osmani. Të vetmet informacione që vijnë për Nertilën janë ato kur të dy vajzat përmenden bashkë, me vendndodhje në Strugë të Maqedonisë, teksa punojnë të dyja si këngëtare. Nga verifikimet në Strugë, kontaktet telefonike me pronarë të klubeve dhe hoteleve të ndryshme, ata mohojnë që vajzat të jenë atje. Vetë Sonila ka qenë vite më parë, kur shoqëronte këngëtaren tjetër, Elda Shabani. Por që nga viti 2004 nuk është parë më në Strugë të Maqedonisë. Gjithsesi, po bashkëpunohet me policinë edhe për një piste tjetër të mundshme, ajo e ekzekutimit fizik të dy vajzave.
(09,07,2007)
Gjetja e këngëtares, çelësi edhe për Nertilën e zhdukur
Informacioni i fundit, Sonila ishte në Zvicër para 3 javësh
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
Informacionet e ardhura nga Zvicra dhe nga Maqedonia mbeten të vetmet pistat kryesore të kërkimeve për dy vajzat e zhdukura, Sonila Kryeziu dhe Nertila Osmani. Janë zhdukur në të njëjtën ditë dhe në momentin e fundit kanë qenë së bashku. Gjatë javës, gazetarët e Jetë në Kërkim verifikuan në një lokal me muzikë shqiptare live në Strugë të Maqedonisë, ku dyshohej se ndodhej Sonila. Gazetarët zbuluan një tjetër këngëtare atje, e cila i përputhej informacioneve të ardhura nga telefonat. Por përsëri telefonues të shumtë kanë këmbëngulur se Sonila ka kënduar në atë lokal dhe se ishin të sigurt që aty tashmë këndonte këngëtarja e kontaktuar nga Jetë në Kërkim. Ndonëse në tre javët e kërkimeve intensive të gazetarëve çuditërisht nuk ka ndonjë informacion të saktë në adresë të shoqes së saj, Nertila Osmani, gazetarët janë duke këmbëngulur në gjetjen e Nertilës, si çelësi për gjetjen më pas edhe të shoqes së saj, e cila është edhe nënë e një fëmije 4 vjeçe. Drejtuesja e emisionit Jetë në Kërkim, Mirjeta Ngjela, gjatë emisionit të saj iu referua të gjitha investigimeve e kryera më parë nga Gazeta Shqiptare për Sonila Kryeziun dhe miken e saj, Nertila Osmani. Mirjeta Ngjela prezantoi edhe verifikimet e kryera nga gazetarët e saj në lidhje me disa kërkime të kryera dy vjet më parë nga forcat speciale të policisë në Lagunën e Karavastasë, ku hetuesit dyshonin se të akuzuarit si banda e Aldo Bares të kishin ekzekutuar dhe groposur trupat e dy shoqeve. Por si gazetarët dhe Policia kanë konfirmuar se nuk janë gjetur trupa dhe se informacioni për ekzekutimin e vajzave deri tanimë ka rezultuar i rremë.
Posta
Një informacion i ardhur në adresën elektronike info@jetenekerkim, nga një emigrante në Zvicër, thotë se e ëma e ka takuar Sonila Kryeziun tre javë më parë në një dyqan në Zyrih, dhe Sonila i është prezantuar si dikush tjetër nga Laçi.
(03,07,2007)
Madona, dëshmitare për trafikimin e këngëtares Elda Shabani thërritet në gjykatë
Mberrin fotoja e këngëtares nga Maqedonia. Liri Kryeziu, ngjan me vajzën time!
Nga Gerti Xhaja
info@jetenekerkim.com
jurmët e Sonila Kryeziut dhe Nertila Osmanit të zhdukura prej tre vitesh, të çojnë te këngëtarja e muzikës popullore Elda Shabani, ose siç njihet ndryshe, Madona shqiptare. Është shoqja e ngushtë e këngëtares Sonila Kryeziu, e cila njihet në muzikën popullore live të lokaleve si Soni Kryeziu. Vetë Elda Shabani nuk është prononcuar asnjëherë publikisht për sa dijeni mund të ketë ajo për Sonilën, apo vajzën tjetër të zhdukur. Kjo e fundit ka lënë edhe një fëmijë 4 vjeç. Liri Kryeziu, nëna e Sonilës ka treguar drejtpërsëdrejti në studion e Mirjeta Ngjelës, se e bija kishte miqësi të ngushtë me Elda Shabanin dhe një humorist të njohur. Sipas mamasë, Soni e shoqëronte shpesh Elda Shabanin në tour-et e grupit të saj në lokalet maqedonase dhe ishte mikesha më e mirë për të, me të cilën mund të fliste për çfarëdolloj problemi. Vetë Elda Shabani ndodhet jashtë vendit. Madje, ajo nuk është paraqitur as në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ishte thirrur nga organi i akuzës. Kjo seancë ishte parashikuar të zhvillohej dje në orën 9:00 të paradites. Bëhet fjalë për rastin e trafikimit të një tjetër këngëtareje të muzikës live në lokale dhe një shoqeje të kësaj. Ngjarja daton me vitin 2006, dhe për këtë vepër penale është edhe një i arrestuar në proces. Ndërsa këngëtarja Shabani do të dëshmonte në cilësinë e dëshmitares që mund të ketë dijeni për ngjarjen.
Emisioni
Emisioni i djeshëm në NEWS 24, pati edhe një pikë tjetër kulminante. Një bashkëpunëtore vullnetare e Jetë në Kërkim, dërgoi një foto me e-mail në adresë të emisionit. Sipas bashkëpunëtores, vajza ngjante me njërën nga dy vajzat e zhdukura. Ajo këndonte në një lokal në Maqedoni, por që ishte tepër e vështirë që të kontaktoje direkt me të. Nënat edy nënat e vajzave të zhdukura Sonila dhe Nertila, pasi panë foton, deklaruan se tiparet në foton e dërguar nga Maqedonia janë identike me ato të Sonila Kryeziut.
Zhdukja
Sonila Kryeziu dhe Nertila Osmani, janë zhdukur të dyja në të njëjtën ditë; më 11 mars të vitit 2004. Pasdite, Nertila me Sonilën dhe Romina, motra e kësaj, kishin dalë për një kafe të tria. Kanë kthyer Rominën në shtëpi dhe kanë dalë për të mos u vonuar, por asnjëra prej të dyjave nuk është kthyer më. Nertila ka lënë edhe një vajzë që tashmë është 4 vjeçe, e lindur nga bashkëjetesa me të fortin e Lushnjës, Arben Hoxha, ose siç njihet ndryshe Beni i Komisarit. I larguar prej vitesh nga qyteti i Lushnjës, Beni i Komisarit pati një fund të hidhur. U ekzekutua në të dalë të një lokali lojërash fati se nuk kishte paguar. Lidhjet e ngushta mes Benit të Komisarit dhe disa kundërshtarëve të Bandës së Aldo Bares në Lushnje, hodhën dyshime se mos anëtarët e bandës i kishin ekzekutuar dy vajzat në shenjë hakmarrjeje. Forca speciale dhe të ndërhyrjes së shpejtë kanë kryer kontrolle dhe gërrmime në territorin e Lagunës së Karavastasë, bazë e Bandës së Lushnjës, por pa gjetur gjurmë kufomash. Policia e quajti informacion të dyshimtë atë për një ekzekutim të mundshëm të dy vajzave nga Banda e Lushnjës, por që gjithsesi duhej të verifikohej.
Kërkimet
Kanë pasur ecuri të kënaqshme kërkimet e kryera nga ekipi i gazetarëve investigues të Jetë në Kërkim, për Sonilën dhe Nertilën. Në pikat e kalimit kufitar nuk rezulton të ketë kaluar asnjë person me gjenealitetet e dy vajzave të zhdukura. Ndërkohë, informacionet e ardhura në tri javët e investigimit intensiv të Jetë në Kërkim, flasin për një lëvizje të Sonilës në Maqedoni dhe në Belgjikë. Për vet karakterin e këtij investigimi, gazetarët kanë preferuar të bëjnë hapa disi të ngadaltë, por të saktë për të gjetur vendndodhjen dhe për të kontaktuar me vajzat.
(25,06,2007)
Gjendet lokali ku ka qëndruar Sonila
Nga: Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Mbaj mend se një vajze me emrin Sonila nga Tirana, ka ardhur së bashku me një humorist të shquar dhe një këngëtare shqiptare në një hotel në Strugë të Maqedonisë, para dy vjetësh, - theksoi pronari i një hoteli të mirënjohur në Strugë. Fatin e vajzës e dinë ata të dy, - vazhdon më tej ai. Telefonata të shumta në redaksinë e Jetë në Kërkim dhanë informata të shumta se kishin parë Sonilën duke kënduar në një hotel të mirënjohur në Strugë të Maqedonisë. Më datë 11 mars 2004, Sonila del me shoqen e saj, Nertila Osmani dhe me motrën e saj të vogël, Romina për të pirë një kafe. Rreth orës 19.00, tre vajzat çohen nga lokali dhe çojnë në shtëpi Rominen. Pas kësaj, Sonila me Nertilen dalin përsëri dhe thonë se do te kthehen shpejt. Rreth orës 23.00, familjarët telefonojnë për të disatën herë Sonilën, por telefoni ishte i fikur. Që nga ajo periudhë, të afërmit nuk dinë asgjë për vendndodhjen e dy vajzave të reja.
(18,06,2007)
Telefonues tregojnë itinerarin e Sonila Kryeziut
Gjurmët e këngëtares humbin në Belgjikë
Gazetarët nisin kërkimet intensive për gjetjen
Nga: Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Me të vërtetë një punë e madhe ajo e gazetarëve të Jetë në Kërkim, në emisionin e djeshëm. Telefonues të shumtë nga Zvicra, kanë marrë në telefon gjatë emisionit. Ata kanë pranuar se deri në vitin 2004, Soni Kryeziu kishte kënduar live në disa nga lokalet ku luhet muzikë shqiptare. Pas kësaj, ajo ishte kthyer në Shqipëri. Por, askush prej bashkëpunëtorëve tanë në Zvicër nuk di të jetë parë apo dëgjuar më për Sonin atje. Trajtimi i rastit në vazhdimësi nga Jetë në Kërkim, ngjalli interes te komuniteti shqiptar i Zvicrës për të. Por për Sonin, askush nuk deklaron ta ketë parë në Zvicër. Vetëm disa miq të ngushtë të saj kanë pretenduar se vajza ndodhet në Belgjikë. Kurse një telefonatë e kryer në fund të emisionit, pretendon se një vajzë me të gjitha karakteristikat dhe emrin e Sonila Kryeziut, është parë vetëm 3-4 muaj më parë në qytetin e Laçit, në shoqërinë e disa djemve. Bashkëpunëtori nuk kishte dijeni nëse vajza ka ikur sërish jashtë vendit, apo ndodhet ende në Shqipëri.
Një histori e dhimbshme ajo e Sonila Kryeziut, e prezantuar në emisionin e djeshëm të Jetë në Kërkim, nga drejtuesja Mirjeta Ngjela. Vajza simpatike mendohet të ketë kaluar një traumë të vërtetë, në momentin kur mendoi se kishte gjetur talentin e saj si këngëtare dhe kishte nisur të krijonte edhe fansat e vet. Sonila ose siç njihet nga miqtë dhe admiruesit e muzikës popullore shqiptare në lokalet live në Kosovë e Zvicër, Soni Kryeziu, rezulton e zhdukur nga 11 marsi i vitit 2004. Rasti i saj është denoncuar në emisionin Jetë në Kërkim nga e ëma, pasi babai, Naimi ndërroi jetë vetëm një vit pas zhdukjes misterioze. Ka filluar punë qysh në moshë të re, fillimisht si kameriere te pub Tribes, tek disko Luxi, dhe në Linzë, tek Shatel Linza, si dhe në zonën e Plepave në Durrës. Vajza tentoi të këndonte me grupet e orkestrantëve që luajnë live në lokalet e Kosovës. Dhe ndërsa kthehet nga andej, Soni Kryeziu shkon po me orkestrantët në Zvicër. Qëndron disa muaj atje dhe kthehet në Shqipëri. Kushtet dhe problemet në familje e detyruan të nisej sërish. Vajza kishte një vizë Shengen, por këtu humbasin dhe gjurmët e saj.