Ikën në punë si cdo ditë, shokëve ju thotë se po iki të pij një kafe dhe që nga ai moment nuk dihet më gjë për Sokolin.Mendohet se mund të jetë në burg të Athinës.
ZHVILLIMI I FUNDIT
(11.12.2006)
Surpriza e radhës në NEWS 24, gjendet pas dy vitesh krutani, babai i një vajze 3 vjeçe
Sokol Tufa gjendet në burgun e Koridhalosë në Athinë
Ish të burgosurit në Greqi ndërmjetësojnë për lidhjen
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Vetëm një javë, për të gjetur krutanin e humbur prej më shumë se dy vitesh, Sokol Tufa, babai i një vajze 3 vjeçare. Jetë në Kërkim”, sjell surprizën e radhës në NEWS 24. Është shëndosh e mirë, në burgun e Koridhalos në Athinë, në godinën Dhelta dhe qelia numër 24. Komunikimi me telefon nga brenda burgut është i vështirë, por do ta gjejmë mundësinë për të lidhur Sokolin me familjen”. Ishte një emigrant në Greqi, që ka qenë bashkëvuajtës me Sokolin në burgun në fjalë, i cili deklaron i sigurt se Sokoli ndodhet ende në burg. Emigranti është personi i dytë që konfirmon këtë fakt, pasi një tjetër emigrant komunikoi drejtpërsëdrejti me drejtuesen Mirjeta Ngjela, në emisionin e javës së kaluar, kur u prezantua rasti i Sokolit. Edhe ai pretendoi se e kishte njohur Sokolin në të njëjtin burg.
Historia
Sokol Tufa, 27 vjeç, është zhdukur në rrethana ende misterioze nga fshati i tij, Nikël në Krujë. Largimi i tij daton më 28 tetor të vitit 2004. Në shtëpi kishte thënë se po dilte për një kafe, por disa kohë më vonë persona të ndryshëm kishin deklaruar se mund të ishte larguar për në Greqi. Dhe këtu humbin gjurmët e Sokolit. Familjarët kryejnë denoncim në Komisariatin e Policisë së Krujës. Ndonëse kanë kaluar dy vjet nga denoncimi, ende policia nuk u ka kthyer një përgjigje familjarëve për vendndodhjen e të kërkuarit. Ishte babai i tij, Dilaver Tufa që denoncoi rastin në emisionin Jetë në Kërkim”. Për herë të parë dhe vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga studioja, gazetarët i sigurojnë informacione të sakta për vendndodhjen e Sokolit.
Investigimi
Ka qenë një javë e ngjeshur për gazetarët në marrjen, klasifikimin dhe verifikimin e të dhënave të ardhura. Të gjithë dëshironin që t'i jepej sa më shpejt fund, ankthit të familjes Tufa dhe të realizonin lidhjen e tyre me Sokolin. U kontaktua me shokët e Sokolit, pronarin e tij në punishten e prodhimit të mobilieve në Krujë, si dhe me personat që pretendonin se kishin të dhëna të sakta për vendndodhjen e tij. Nga investigimi i kryer në fshatin e tij të lindjes, nuk ka rezultuar ndonjë konflikt që mund të kishte pasur pasoja për Sokolin. Kushtet e vështira ekonomike i bënë gjithnjë e më të besueshme informacionet që kishte shkuar në Greqi. Ishte parë në Athinë, por të dhënat më të fundit ishin për një izolim të tij në një burg të Athinës, në Greqi. Është kontaktuar në minutat e fundit me një nga ish-të burgosurit e këtij burgu, i cili dha informacione të sakta, deri në numrin e qelisë ku qëndron Sokoli. Ai siguroi që nëpërmjet të vëllait që ndodhet ende në burg, t'i bënte të ditur Sokolit për ankthin që po përjetonte familja e tij, në kushtet e mospasjes së asnjë lajmi për të. Dhe se do të bënte të pamundurën së bashku me të vëllain, për të lidhur Sokolin me familjen e tij. Nga ana tjetër, gazetarët tanë në Greqi kanë siguruar se identiteti Sokol Tufa, rezulton në listat e shqiptarëve që ndodhen në burgun e Koridholosë.
(04.12.2006)
Në kërkim të krutanit, dy vjet i zhdukur
Nga:Gerti Xhaja
g.xhaja@gazetashqiptare.com
Emisioni "Jetë në Kërkim" në NEWS 24, nis sfidën e re. Atë të gjetjes së 27-vjeçarit krutan Sokol Tufa, i zhdukur në rrethana misterioze nga fshati Nikël i Krujës, në 28 tetor të vitit 2004. Ishte Dilaver Tufa, babai i djalit të zhdukur, i cili denoncoi rastin në emisionin e gazetares Mirjeta Ngjela. I zhgënjyer nga puna dyvjeçare e kërkimit pa asnjë rezultat konkret prej Komisariatit të Policisë së Krujës, dhe nga dezinformacionet e dhëna shpesh jo pa qëllim edhe prej personave të tij të afërm.
Apeli
Dilaveri u ka bërë apel drejtpërsëdrejti nga studioja e NEWS 24, të gjithë personave që mund të kenë informacione për të birin, të bashkëpunojnë me gazetarët e "Jetë në Kërkim", për gjetjen e tij. Drejtuesja Mirjeta Ngjela konfirmoi kërkimet në dy drejtime kryesore. Duke verifikuar dhe kontaktuar me të gjithë personat që e kanë parë për herë të fundit Sokolin në Nikël. Ai mendohet të jetë përgatitur për t'u nisur në Greqi dhe të ketë pasur ndonjë shumë të hollash me vete, duke hedhur dyshime edhe për ndonjë grabitje të mundshme të tij. Gjithsesi, janë shokët dhe të njohurit e Sokolit, të cilët pritet të zbardhin misteret e konflikteve të mundshme të tij.
Greqia
Nëpërmjet bashkëpunimit me Shoqatën e Emigrantëve në Greqi dhe autoritetet vendase pritet të konfirmohet nëse Sokoli ka kaluar ndonjëherë kufirin me fqinjin jugor. Në fakt, një informacion i pakonfirmuar ndonjëherë ishte edhe mundësia e vendndodhjes në ndonjë burg të Athinës për Sokolin. Veç disa personave që konfirmojnë të kenë parë një djalosh me karakteristikat e Sokolit në Athinë, vetë bashkëshorti i motrës së tij, në një moment i ka pohuar të atit, Dilaver Tufa, se Sokoli ndodhej në burgjet helene. Ndonëse një informacion i tillë nuk konfirmohet prej autoriteteve greke, apo edhe nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi.